Si të largojmë strijat në kushte shtëpie?
Strijat janë ndër problemet më shqetësuese për femrat në pikëpamjen estetike. Pavarësisht se e dimë që nuk sjellin ndonjë dëm për shëndetin tonë, përsëri mund të ndjejmë shqetësim estetikisht në lidhje me shëndetin e lëkurës sonë. A e dini se mund t’i përmirësoni strijat duke përdorur locionet që përgatisim me përbërësit në kuzhinë? Strijat në formën më të thjeshtë përkufizohen si gjurma që formohen në lëkurën tuaj për shkak të deformimit të vazhdueshëm të fibrave elastike nën lëkurë.
Strijat zakonisht formohen në zonën e barkut, gjoksit dhe vitheve. Së pari shfaqen si vija të vogla të kuqërremta ose ngjyrë manushaqe, ndërsa më pas shndërrohen në vija në ngjyrë pak më të hapur se ngjyra e lëkurës.

Ç’mund të bëjmë për të parandaluar formimin e strijave?
Të shpëtojmë totalisht nga strijat, pasi të jenë formuar një herë, është shumë e vështirë. Mirëpo nëse i kemi parasysh kriteret e mëposhtmë, kjo do të ndihmojë në minimalizimin e efektit të strijave mbi lëkurën tonë. Së pari duhet të tregojmë kujdes që të kemi qarkullim të shëndetshëm gjaku. Së dyti të sigurohemi që kemi rritur nivelin e kolagjenit në lëkurën tonë. Kolagjeni është një proteinë e rëndësishme në prodhimin e elementëve të ndryshëm në trup. Mund ta rrisim nivelin e kolagjenit duke konsumuar ushqime që përmbajnë vitaminën C (si speci, kivi, portakalli, spinaqi, domatja, shega, brokoli etj.).
Së fundmi të mundohemi të mbajmë një peshë konstante.
Si mund t’i luftojmë strijat?
Sado që është e vështirë zhdukja totale e strijave, do ju tregojmë disa metoda që do të ndihmojnë në përmirësimin e pamjes së tyre.
Vitamina E
Përdorimi i kësaj vitamine mund të bëhet në dy forma. Së pari mund ta sigurojmë atë nga farmacitë në formën e kapsulave. Mund të pimë kapsulën, ndërsa vajin brenda saj ta vendosim në formë masazhi mbi pjesën e trupit në të cilën kemi konstatuar strija. Këtë duhet ta bëni çdo ditë pas dushit për të paktën një herë. 15 minuta më pas mund ta fshini me një copë të lagët. Së dyti mund të bëni masazh mbi lëkurën tuaj me vajra të pasur në aspekt të vitaminës E. Si p.sh. vaj ulliri, vaj bajame dhe vaj soje. Këtë mënyrë mund ta zbatojmë ashtu si edhe mënyrën e parë.
Panxhari

Përzieni lëvoren e panxharit me atë të pjeshkës. Nëse kjo përzierje do të rezultojë si një masë e trashë mund t’i shtoni një lugë gjelle vaj bajamesh. Masën e përfituar mund ta zbatojmë mbi pjesët trupore me strija, ta lëmë të presë për 15 minuta dhe më pas ta pastrojmë me ujë të ftohtë. Kini kujdes në këtë pikë, pasi uji i ngrohtë do të bëjë më të ndjeshme lëkurën tuaj, kjo mund të japë ndikim negativ mbi të.
Karrota
Ndërsa një perime tjetër që gjendet në kuzhinë dhe që mund të jetë e dobishme mbi problemin e strijave është karrota. Ajo që duhet të bëni është të zieni në avull karrotat, t’i shtypni në formën e puresë dhe ta vendosni drejtpërdrejt mbi zonën e strijave. Tregoni kujdes në temperaturën e masës kur ta vendosni mbi lëkurë. Ngaqë nevojitet më shumë kohë që kjo kurë të japë efekt, pasi ta kemi zbatuar duhet të presim për më e pakta gjysmë ore. Më pas e fshijmë dhe e pastrojmë me anë të një pëlhure të pastër pasi e shpëlajmë në ujë.
Avokado

Avokado është një frut shumë i dobishëm. Në sajë të dobive të ndryshme mund të përdoret edhe si ilaç shtëpiak. Shtypim gjysmë avokado dhe e përziejmë me një lugë mjaltë dhe lëngun e një limoni. Kështu do të përfitojmë një masë kremoze. Këtë masë duhet ta vendosim në formën e masazhit mbi pjesën e strijave për çdo ditë dhe duke e praktikuar mesazhin për 15 minuta. Për ta bërë masën më të lëngshme, në mënyrë që të lehtësojmë zbatimin e saj, mund të shoni brenda saj një lugë vaj ulliri.
Sheqer dhe kafe

Njëra prej metodave themelore që përdoret në të gjitha kurat e lëkurës është pastrimi i lëkurës së vdekur. Nëse dëshirojmë formimin e qelizave të reja, duhet të shpëtojmë nga qelizat e vdekura. Sheqerin dhe kafenë, si përbërës që mund t’i sigurojmë lehtësisht, mund t’i përziejmë me njërin prej vajrave të sipërpërmendur, p.sh. me vaj ulliri. Mund ta zbatojmë masën mbi strija dhe ta lëmë të presë për 20 minuta, ndërsa më pas ta fshijmë me një copë të pastër.
Krem aloe vera i përgatitur në kushte shtëpiake
Përbërësit
½ filxhan me vaj ulliri natyral
¼ filxhan me xhel aloe vera
10 kapsula vitaminë E
Të gjithë përbërësit mund t’i përziejmë me anë të një mikseri. Masën e vendosim mbi strija dhe bëjmë masazh deri sa të përthithet nga trupi. Kremin e përfituar mund ta vendosim në një kavanoz të pastër dhe ta ruajmë në frigorifer.
Ushtrime fizike
Në veçanti ushtrimet fizike që do të bëjmë në ajër të pastër, krahas zhvillimit të muskujve, do të ndihmjnë në oksigjenizimin e qelizave. Aktivitetet fizike të bëra në ajër të pastër do të bëjnë të mundur që trupi ynë të përthithë më së miri vitaminën D, e cila luan rol mjaf efektiv në rigjenerimin e lëkurës.