Një pacient nga Londra besohet se është personi i dytë që është shëruar nga HIV
Edhe një person besohet se është shëruar nga infeksioni HIV-1, i cili në mbarë botën prek afër 37 milionë njerëz.
Ky raportim vjen pas më shumë se 10 vjetësh, kur është testuar personi i parë, i njohur si “Pacienti i Berlinit”. Të dy pacientët u trajtuan me transplantim të qelizave burimore nga donatorët të cilët mbanin një mutacion të rrallë gjenetik, të njohur si CCR5-delta 32, që i bëri ata rezistent ndaj HIV.
“Duke arritur këtë sukses edhe në pacientin e dytë, ne kemi treguar se pacienti i Berlinit nuk është një anomali dhe se me të vërtetë ishin qasjet e trajtimit ato që eliminuan HIV në këta dy njerëz”, tha Ravindra Gupta, autor kryesor i studimit dhe një profesor në Universitetin e Kolegjit të Londrës, Divizioni i Infeksionit dhe Imunitetit, transmeton Indeksonline.
Gupta shtoi se metoda e përdorur nuk është e përshtatshme për të gjithë pacientët, por ofron shpresë për strategji të reja trajtimi, duke përfshirë terapitë gjenetike.
Ai dhe kolegët e tij do të vazhdojnë të monitorojnë gjendjen e pacientit, pasi është ende herët të thuhet se ai është shëruar plotësisht nga HIV.
Pothuajse 1 milion njerëz vdesin çdo vit nga shkaqet që lidhen me HIV. Trajtimi për HIV përfshin medikamente që shtypin virusin, të njohur si terapi antiretrovirale, të cilat njerëzit me HIV duhet të marrin për tërë jetën e tyre. /Indeksonline/