Votimi i platformës së dialogut, Haradinaj thotë se është votim për ruajtjen e Kosovës së 17 Shkurtit 2008
Ramush Haradinaj ka përshëndetur votimin e platformës së dialogut për Serbinë.
Sipas kryeministrit ky është votim votim për ruajtjen e Kosovës së 17 Shkurtit 2008.
“Votimi i sotëm në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë dhe i Platformës për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është votim për ruajtjen e Kosovës së 17 Shkurtit 2008.
Me votën e sotme, nga shumica prezente në Kuvend, ne i kemi hapë rrugë ekipit gjithëpërfshirës nga përfaqësues të pozitës, opozitës e shoqërisë civile si ekip që përfaqëson interesat Kushtetuese dhe strategjike të Kosovës dhe po dëshmojmë edhe njëherë përkushtimin tonë, për paqen e stabilitetin e gjithë rajonit dhe në ndërtimin e fqinjësisë së mirë.
Me Ligjin dhe Platformën, ne i kemi dhëne Ekipit negociator dokumentet bazë, në të cilat paraqitet pozicioni ynë se kufijtë e Kosovës, janë të paprekshëm dhe se nuk do të ketë nivel të tretë të pushtetit” shkruan Haradinaj në Facebook./Indeksonline/