75 Mall Live Search
20:56 / E Hënë, 11 Mars 2019 / indeksADMonline

Ndër projektet kapitale për Obiliqin, është ngrohja qendrore

Një ndër projektet më madhore për Obiliqin do të jetë ai për ngrohje qendrore, ku kjo komunë ka ndarë mjetet për fazën e studimit të fizibilitetit për kogjenerimin, fillimisht janë ndarë 500 mijë euro.

Kështu ka thënë kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, i cili së bashku me drejtorë të drejtorive komunale, sot pasdite kanë mbajtur një debat publik me banorë të Obiliqit, ku diskutua për gjendjen buxhetore për investimet komunale dhe investimet kapitale në lokalitete për vitin 2019.

Kryetari Gashi, duke folur për buxhetin komunal, tha se buxheti ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme, mbi 12 milionë euro, e cila është e mundësuar edhe nga tantiema në kuadër të Ligjit për Obiliqin.

Gashi tha se për shpenzimet kapitale me mjete komunale, janë paraparë 6 milionë e 257 mijë euro, ndërsa me përkrahjen e granteve nga ministritë përkatëse, janë mbi 10 milionë euro.

Gashi u shprehë se kanë arritur në 12.168.718 euro buxhet

“Është një ndryshim shumë i madh në të gjitha vijat buxhetore. Kemi filluar me menaxhua komunën në 2014 me 4 milionë e 589 mijë euro dhe tani kemi arrit në 12 milionë e 168 mijë 718 euro, që i bie se po thuajse për tre fish më shumë buxhet krahasuar me 2014. Kjo është një e mirë që ne e gëzojmë tani nga tantiema me rritjen e fundit me 20 përqind nga Ligji për Obiliqin. Janë 5 milionë të ndara nga ky ligj në të gjithë linjat. Investimet kapitale i kemi 6 milionë e 257 mijë euro, ose rreth pesë herë më shumë”, theksoi Gashi.

Për paga dhe mëditje mbi 4 milionë euro. Sipas tij rreth 150 rrugë dhe rrugica do të nderohen në vitin 2019 në vlerë mbi 2 milionë euro. Po ashtu, tregoi se për ndriçimin e rrugëve janë paraparë mjete për këtë vit.

Gashi tha se janë gjithsej 49 rrugë që pritet të nderohen

“Këtu është një pasqyrë e të gjitha rrugëve që kemi arrit t’i nxjerrim në Obiliq. Janë gjithsej 49 rrugë dhe nëse ka ndonjë rrugë që nuk e kemi evidentuar, na tregoni, me qëllim që drejtori pastaj t’i dërgojë ekipet për të bërë paramanat dhe parallogaritë. Te arsimi janë planifikuar të ndërtohen dy salla të edukatës fizike, një te Gjimnazi kurse tjetra në Milloshevë”, tha ai.

Disa banorë shprehen interesimin e tyre për disa rrugë që nuk janë të planifikuara për ndërtim, ndërsa kryetari Gashi premtoi se do të evidentohen këto kërkesa dhe do të planifikohen për ndërtim. Ndërsa, për ambientin janë jo më pak se 1 milionë e 500 mijë euro.

Për shëndetësi janë paraparë 265 mijë euro. Për sektorin e arsimit janë parapa të investohen 683 mijë euro, për kulturë, rini dhe sport mbi 300 mijë euro.

Ramadan Qunaku, banor i kësaj komune, ka kërkuar shtimin e numrit të parqeve dhe formimin e një teatri profesionit të qytetit. 

“Një park i vogël mundet me ndërtua në rrugën “Agron Rama”. Natyrisht se kam kërkesën edhe për kulturë. A ka mundësi që Obiliqi të formojë një teatër profesionist të qytetit. Kam shikuar ligjin, dhe ka mundësi të bëhet, mjafton një dëshirë e asamblistëve me aprovuar. Kur jemi te rruga “Agron Rama”, një kërkesë  shtyllat e energjisë elektrike me i tërhequr”, tha Qunaku.

Mirvete Haxholli ka pyetur për strategjinë socio ekonomike, ndërsa kryetari tha se janë duke punuar ekspertët për këtë strategji për 5 vitet e ardhshme që pritet të jetë rreth 35 milionë euro. Është edhe një projekt madhor sipas kryetarit Gashi.