Ambasadori amerikan reagon për raportin e të drejtave të njeriut, ku flitej për Kosovën
Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar të mërkurën raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2018, ku në pjesën për Kosovën u nxjerr si probleme: ‘kthimi i detyrueshëm i refugjatëve ose azilkërkuesve, korrupsionin endemik në qeveri, dhunën dhe kërcënimet dhe kërcënimet e dhunshme kundër gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara’.
Raporti theksoi edhe rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, ku siç thuhej janë kërkuar nën akuza të paqarta.
Lidhur me këtë raport ka reaguar Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
“Raporti 2018 për të drejtat e njeriut. Një hap përpara që merret me miratimin dhe rishikimin e Kodit Penal.#Kosova vazhdon të frenohet nga korrupsioni, sulmet ndaj gazetarëve, dëbimi i shtetasve të huaj pa proces të rregullt dhe dhuna ndaj pakicave”, ka përmendur Kosnett, transmeton Indeksonline.
Tutje në raportin e të drejtave të njeriut u tha se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznesmenë dhe grupe radikale fetare kanë bërë përpjekje t’i frikësojnë përfaqësuesit e mediave.
“Mediat gjithashtu hasën vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, ashtu siç parashihet me ligj”, thuhet në raport.
Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu thekson se ligji në Kosovë parashikon dënime penale për zyrtarët që kryejnë vepra korruptive, porse qeveria “nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive”.
“Zyrtarët, nganjëherë, janë angazhuar në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kanë kontribuar në këtë problem”, thuhet në raport./Indeksonline/