75 Mall Live Search
11:19 / E Diele, 24 Mars 2019 / indeksADMonline

Rreth një milion njerëz protestojnë në Londër, kërkojnë edhe një referendum për Brexitin

Rreth një milion protestues kanë protestuar sot në Londër për “Brexit”. Ata kanë kërkuar që të mbahet edhe një referendum.

Këta protestues po e kundërshtojnë daljen e vendit të tyre nga Bashkimi Evropian dhe po kërkojnë që vendimi përfundimtar të merret nga populli.

Vlen të theksohet se protestuesit nuk janë vetëm qytetarë të Londrës por nga e gjithë Britania.

Kamerat nga ajri kanë marrë pamje spektakolare të turmës së madhe të njerëzve, të cilët janë mbledhur pranë parlamentit, ku u mbajtën fjalime nga deputetët e të gjitha partive.

Njëra nga pankartat më të veçanta që u shpalosën në këtë protestë masive ishte thënia e deputetit David Davis, “Nëse një demokraci nuk mund të ndryshojë, ajo nuk është më demokraci”.

Në mesin e personave që mbajtën fjalim para protestuesve ishte edhe zëvendëskryetari i Partisë Laburiste, Tom Watson. “Shikoni në dritare, kryeministre. Largojini perdet. Ndezeni televizorin. Këtu është populli”, tha ai.

Numri i madh i njerëzve në protestën e së shtunës po krahasohet me protestën e vitit 2003 kundër luftës në Irak, në të cilën kishin marrë pjesë rreth 2 milionë njerëz, shkruan “Independent”.