Kastrati: Unë nuk qeveris me shantazhe e ultimatume, më vjen keq që VV zgjodhi këtë formë politikbërje
Dega e Vetëvendosjes në komunën e Dardanës (Kamenicë) ka akuzuar kryetarin e tanishëm të komunës nga radhët e PSD-së, Qëndron Kastrati për qeverisje jot ë mirë e abuzim me buxhetin.
Përmes një komunikate të publikuar dje, nga Vetëvendosje u deklarua se Kastrati erdhi në pushtet përmes kësaj partie, por tashmë nuk i përfaqëson ata.
E pikërisht për këtë deklaratë ka reaguar së fundi edhe vetë Kastrati i cili ka mohuar akuzat që u bënë në drejtim të tij, shkruan Indeksonline.
Ai tha se që nga fillimi i mandatit ka vendosur që të qeveris përtej interesave të ngushta partiake.
“Kam emëruar një kabinet qeverisës me moshë shumë të re dhe të bazuar në profesionalizëm. Në këtë kabinet ka drejtorë që nuk vijnë nga partitë por janë njerëz të profesionit”, shtoi ai.
Ai shtoi gjithashtu se kjo komunikatë e Vetëvendosjes më shumë ngjason me fletërrufetë që reflektojnë nga mendësitë totalitare.
Reagimi i plotë:
Në politikë jemi për qytetarin, jo për interesa të partisë!
Me keqardhje e lexova komunikatën e mbrëmshme të degës së Vetëvendosjes në Dardanë. Fatkeqësisht më shumë ngjante në fletërrufetë që reflektojnë nga mendësi totalitare. Për mendjet e tilla, e vërteta NUK është çështje e debatit publik dhe përballjes së argumenteve, trajtimit të fakteve apo përpjekjes kolektive. Përkundrazi, ajo është ekskluzivisht e lidhur me subjektin dhe e vendosur një herë e mirë. Vetëm kjo logjikë e shpjegon veprimin përjashtues sipas mënyrës “nëse je me mua je shembull, nese je kundër meje je tradhtar”.
Që nga fillimi i mandatit, kam vendosur që të qeveris përtej interesave të ngushta partiake. Kam emëruar një kabinet qeverisës me moshë shumë të re dhe të bazuar në profesionalizëm. Në këtë kabinet ka drejtorë që nuk vijnë nga partitë por janë njerëz të profesionit.
Drejtorët janë plotësisht të lirë në punën e tyre të përditshme. Ata janë të udhëzuar nga programi qeverisës për të cilin jemi votuar, dhe kufizohen vetëm nga ligjet në fuqi. Për këtë mund të pyesni secilin prej tyre, edhe ata që vijnë nga Vetëvendosje.
Programin zgjedhor me të cilin kam garuar, jemi duke e zbatuar pikë për pikë, madje edhe duke e tejkaluar. Si shërbyes publik që jemi, para nesh duhet të jenë vetëm interesat qytetare e asnjëherë ato të politikës ditore.
Unë kam vendosur të qeveris mbi këto premisa. Prandaj, secili drejtor komunal, edhe këta që vijnë nga VV duhet ta dijnë që unë do të vazhdoj të besoj në ta pavarësisht përkatësisë së tyre partiake. Unë nuk qeveris me presione, shantazhe e ultimatume dhe më vjen keq që partia VV e ka zgjedhë këtë formë politikbërjeje tash e sa kohë.
Qeverisja e Kamenicës ka ndryshuar rrënjësisht por kemi edhe shumë punë për të bërë. Në këtë mision duhet të jemi bashkë, partitë politike e qytetarët.
Përballë qasjes përjashtuese dhe ekskluzive, përgjigja ime është bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirja.