75 Mall Live Search
11:41 / E Hënë, 01 Prill 2019 / indeksADMonline

Gjykata Themelore refuzon t’ua pezullojë pensionet 19 mijë veteranëve mashtrues

Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar pezullimin e pensioneve për 19 mijë persona të cilët akuzohen se po përfitojnë pensionin e veteranit, pa qenë të tillë.

Vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka konfirmuar avokati i Agim Çekut, Ramë Gashi.

“E vërtetë është. Sot Gjykata e ka marrë vendimin, është e saktë. Eshtë refuzuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për pezullimin e pensioneve deri në përfundim të shqyrtimit kryesor”, ka thënë Gashi për Insajderin.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për veteranët mashtrues vitin e kaluar. Provat e siguruara kanë vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë, të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit.