75 Mall Live Search
23:12 / E Premte, 05 Prill 2019 / indeksADMonline

Sa për qind të zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë?

Blerim Kelmendi, drejtor i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në AKK, ka thënë se mbi 95 përqind e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë.

“Ka përfunduar afati për deklarim të rregullt të pasurisë. Janë 4500 zyrtarë publikë. 95 përqind të zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rremë janë paraparë si vepër penale.

“Mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rremë janë paraparë si vepër penale. Saknsionet janë të përcaktuara, me gjobë dhe me burg”.

Ndryshe, drejtori i AKK-së, Shaip Havolli, ka deklaruar për Indeksonline se do të publikojnë të dhënat pas evidentimit të të gjithë formularëve.

“Ashtu siç jeni të informuar edhe ju me datën 01.04.2019 ka qenë afati i fundit të deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë publik, ne jemi duke i evidentuar në listë të gjithë formularët e pranuar gjatë kësaj periudhe. Pasi që t’i evidentojmë të gjithë formularët, dhe po ashtu të presim edhe formularët përmes postës (për arsye se është e drejtë e zyrtarëve të lartë publik të dorëzojnë formularët edhe përmes postës), Agjencia do t’i publikoj të dhënat për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët e lartë publik”, u shpreh Havolli.

Ai bëri të ditur se procedimi i të dhënave në sistem do të bëhet gjatë muajve prill dhe maj, ndërsa gjatë qershorit do të publikohen regjistrat e deklarimit të pasurisë.

Deklarimin e pasurisë janë të obliguar të bëjnë të gjithë zyrtarët e lartë publikë, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti.

Vitin e kaluar, 86 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë, për të cilët Agjencia Kundër Korrupsionit ka ushtruar kallëzime penale për mosdeklarim.