Hartuesit propozojnë rishkruarjen e Kushtetutës së Kosovës të shkelur tri herë
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”.
Ky është neni i parë i Kushtetutës së parë të shtetit të Kosovës.
Para 11 vjetësh ky dokument i rëndësishëm shtetëror i dha fund statusit ligjor paraprak të Kosovës, e cila ishte nën administrimin e UNMIK-ut, njofton Klan Kosova.
Hartuesit e aktit më të lartë juridik e quajnë atë mision të shenjtë dhe historik që shërbeu për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Ish-ministri, Arsim Bajrami, që ishte një ndër hartuesit e Kushtetutës tha se ajo ka pasur shkelje të trefishtë gjatë këtyre viteve.
“Kushtetuta e Kosovës është hartuar në kontekstin e shtetndërtimit sipas Planit të Ahtisarit. Ajo ka pësuar ndryshime tre herë deri më tani. Në vitin 2011 me 23 amandamente i është dhënë fund pavarësisë së mbikëqyrur, më vonë është sjellë amandamenti për amnesti dhe së fundi amandamenti për Gjykaten Speciale”.
“Ka pasë shkelje të trefishtë të Kushtetutës këto 11 vjet. E para, nga serbët të cilët në pjesën e Mitrovicës së Veriut dhe në komuna tjera me shumicë serbe nuk e kanë zbatuar Kushtetutën. E dyta nga liderët e partive politike dhe deputetë që kanë marrë vendime jo kushtetuese; si dhe e treta kur dy presidentët, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli, kanë dhënë dorëheqje për shkelje serioze kushtetuese të konstatuara nga Gjykata Kushtetuese”.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridiko-kushtetuese, Mazllum Baraliu, i cili gjithashtu ishte në mesin e hartuesve të këtij dokumenti, tha se Kushtetuta aktuale ka nevojë të ndërlidhet edhe me Kushtetutën e vitit 1974, të vitit 1990 dhe me Kornizën Kushtetuese të Kosovës së pasluftës për shkak se është vazhdimësi e tyre.
“Secili nga qytetarët e Kosovës duhet ta konsiderojë dhe trajtojë si një akt i shenjtë dhe si një dhuratë e pazëvendësueshme. Nga Dardania antike e këndej, kjo Kushtetutë si akti më i lartë juridik dhe politk, ngërthen në vete primatin e të qenit Kushtetuta e Parë e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ndonëse ka vakumet saj, kjo Kushtetutë, do të duhej respektuar nga të gjithë – persona fizik e juridik – pa dallim”.
Baraliu tha për klankosova.tv se Kushtetuta ka pasur shkelje të mëdha dhe se ka nevojë për një rishkruarje të saj.
“Kjo Kushtetutë nuk ia ka dalë që të përballet me sfidat për ndryshime dhe me 24 amendamente ka pësuar ndryshime”.
“Kushtetuta imperativisht ka nevojë për ndryshime të mëdha deri në rishkruarje të saj. Ka pasur shumë shkelje dhe nga shumë subjekte fizike dhe juridike-institucionale”.
Se Kushtetuta duhet të ndryshohet mendon edhe profesori Kadri Kryeziu që ishte po ashtu përpilues i saj.
Ai madje iu propozon deputetëve të Kuvendit që të fillojnë procedurat për ndryshim përmes Gjykatës Kushtetuese.
“Në të ardhmen e afërt duhet nisur procedurat për ndryshime radikale. Duke shfrytëzuar diskriminin pozitiv, komuniteti serb ka ngulfatur demokracinë dhe me këtë nuk mund të lëvizim përpara. Ka mbetur edhe me tej Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e OKB-së për kontrollin e territorit dhe sigurisë nga KFOR-i”.
Kadriu tregoi edhe për historikun e përgatitjes së Kushtetutës para 11 vjetësh.
“Kushtetuta e Kosovës është efekti dhe produkti i luftës dhe ndihmesa e SHBA-së. Në përbërje ishim 21 anëtarë, prej tyre 15 shqiptarë dhe 6 nga minoritetet. Viti 2008 për Kosovën ishte viti i të arriturave epokale dhe i shpresës. Kushtetuta vazhdoi jetën e saj me shumë vështirësi në implemetim, megjithatë ia ka dalë mirë”.