Nëna e Zaniolos: Goli i Ronaldos na kushtoi grabitjen e makinës – është tifoz i Juventusit
Nuk ka qenë një zgjim shumë i lumtur ai për familjen Zaniolo. Pikërisht për Nikolon, mesfushorin e talentuar të Romës, që Juventusi e ka vënë në shënjestër dhe po punon shumë seriozisht për ta transferuar në Torino gjatë verës. Gjithsesi, duke mbetur te kronika e mbrëmjes së të mërkurës, mëngjesin e djeshëm mamasë së futbollistit 19-vjeçar i është dashur që të vrapojë për në stacionin e policisë për të denoncuar grabitjen e makinës së saj, një “Mini Cooper”-i.
Ajo që ka bërë publik lajmin në fjalë ka qenë vetë Françesca Costa, që si çdo mëngjes kishte zbritur poshtë shtëpisë për të marrë makinën dhe për të shoqëruar të birin futbollist në stërvitje, në “Trigoria”.
“Dua t’i falënderoj dhe t’i uroj Pashkë të mbara atyre që këtë natë, poshtë shtëpisë sonë, na kanë grabitur makinën…”, ishte komenti sarkastik i mamasë së talentit të Romës dhe të Kombëtares së Italisë. Por sido që të ishte, për të mos hasur vonesa në stërvitjen e paralajmëruar nga trajneri Claudio Ranieri, ka qenë një mik i familjes që i erdhi në ndihmë Nikolo Zaniolos. Gjithsesi, pasi ka dërguar të birin në qendrën stërvitore dhe pasi lajmi kishte bërë xhiron e kryeqytetit, për Françeskën, mamanë e futbollistit, ishte e pamundur që t’i shmangej medias, ku tregoi ngjarjen dhe jo vetëm:

“Çfarë do të doja për të ardhmen e Nikolosë? Për mua mjafton që të jetë mirë dhe të bëjë gjithçka që e bën të lumtur. Ajo që ai po jeton aktualisht nuk na duket e vërtetë, por nuk i referohem shifrës prej 60 milionë eurosh që vlerësohet djali im, edhe pse janë shumë para. Idhulli i Nikolos?Absolutisht kanë qenë Totti dhe Kaka, por nga ata që luajnë aktualisht adhuron Cristiano Ronaldon. Është tifoz i Juves. E ndoqëm Ajaks-Juventus? Sigurisht, ajo na kushtoi grabitjen e makinës. Ishim në shtëpi duke e parë ndeshjen të dy me Nikolon dhe te goli i Ronaldos shpërtheu: ‘Mamma mia, çfarë goli!’, – vazhdon Françeska, e cila në fund zbulon. – Jam supersticioze dhe tifoze e Romës. Gjatë 90 minutave i mbaj gishtat e kryqëzuar, që Nikolos t’i shkojë gjithçka mirë. Nëse Zaniolo shkon te Juvja? Tifozllëku im për Romën është njësoj si feja, por sigurisht që do të nisja të bëja tifozllëk për Juventusin nëse djali im transferohet te skuadra e tij e zemrës”.