75 Mall Live Search
22:35 / E Shtunë, 13 Prill 2019 / indeksADMonline

Presidenti i Feronikelit i komenton klubit në Facebook: Marre, do të dënoheni të gjithë

Feronikeli është befasuar nga Ferizaji në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, duke u mposhtur me rezultat 1-2.

Vendasit ishin të parët që kaluan në epërsi në fund pjesës së parë me anë të Prezakit dhe kjo dha përshtypjen që skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli do të pësonte humbjen e radhës.

Megjithatë, çudia ndodhi gjatë 45 minutave të dytë. Në të 78-ën, Krasniqi realizoi golin e barazimit, ndërsa në minutat e fundit shtesë, teksa Feronikeli po përpiqej në çdo mënyrë për të gjetur sërish golin, realizoi të dytin, që la tepër të zhgënjyer të pranishmit në “Rexhep Rexhepi”.

Kjo humbje sic duket ka irrituar mjaft shumë edhe presidentin e klubit Naser Ramaj, i cili ka zgjedhur një metodë interesante për t’i kritikuar lojtarët dhe stafin.

Ramaj ka bërë dy komente në statusin e KF Feronikelit në faqen zyrtare në Facebook.

Në komentin e parë Ramaj shkruan: “Kjo qe ka ndodh sod ashte e pafalshme do te denohen e gjithe ekipa , poashtu edhe stafi udhheqes . Eshte nje marre teper e madhe sa nuk mund ta pershkruaj.”

Ndërsa poashtu nuk është kursyer as në komentin e dytë: “Feronikeli ashte shume marre per ju, teper jam i zhgenjyn ne ju sa me mend sun e merrni, ju jini zhgenjimi jem ma i madhi, deri me tash”.

Ndonëse kjo ndoshta nuk është mënyra më e mirë për t’i kritikuar lojtarët dhe stafin, kjo humbje mund t’i kushtojë shumë Feronikelit për objektivin final, pasi edhe Prishtina arriti në kuotën e 62 pikëve, të cilës i mjaftoi një fitore minimale ndaj KEK-ut, me golin e vetëm të sfidës të cilin realizoi Boshnjaku. /IndeksOnline/