Shpallja e zgjedhjeve në veri, e vonuar
Javë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut të banuara me shumicë serbe, përcjellë Indeksonline.
Ky vendim erdhi pesë muaj pasi kryetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveqan dhe Zubin Potok, dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të qeverisë për vendosjen e tarifës shtesë prej 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
E shpalljen e zgjedhjeve në këto komuna, partitë politike janë duke e konsideruar të vonuar.
Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se me zgjedhjet e jashtëzakonshme do të kthehej të paktën kontrolli politik në këtë pjesë.
“Mendoj se ka qenë i vonuar por proces i domosdoshëm, nuk guxojmë të lëmë një pjesë të madhe të territorit të Kosovës pa kontroll, së paku politik nga ana e institucioneve shtetërore në Kosovë. Sepse e dimë që një pjesë të sovranitetit nuk arrijmë ta ushtrojmë në kuptimin e plotë të fjalës atje”, ka thënë ai për rtv21.
Ndonëse e cilësojnë të vonuar, Lëvizja Vetëvendosje beson se kjo vonesë në shpalljen e zgjedhjeve ka një prapavijë tjetër.
“Ne vazhdojmë të kemi paqartësi sepse deri më tani është prolonguar shpallja e zgjedhjeve. Në këtë kuptim në fakt, ne si lëvizje Vetëvendosje natyrisht e kemi parë si komplet proces të ligjshëm por vonesat nuk i ka shpjeguar askush se pse ky proces është shtyrë deri në pesë muaj. Ajo çfarë ne jemi të brengosur është se duke e njohur presidentin Thaçi ne nuk mund të kemi besim të plotë që ky skenar, me këto zgjedhje nuk pa pas vetës ndonjë projekt të tij”, tha deputetja Albulena Haxhiu.
Edhe Nisma pajtohet se procesi i zgjedhjeve në veri është i vonuar, ndonëse thotë se në këtë periudhë edhe KQZ ka qenë e bllokuar.
Mirëpo, me kolegët e tij, nuk pajtohet Memli Krasniqi nga PDK.
Ai thotë se vendimi i Thaçit është vendim i drejtë, i bazuar në Kushtetutë e në ligjet përkatëse.
Në anën tjetër Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në këto zgjedhje.
“Mbajtja e zgjedhjeve veç e mundëson që të funksionalizohet funksioni i kryetarëve atje”, tha Ahmeti Isufi.
Zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveqan dhe Zubin Potok do të mbahen më 19 maj. /Indeksonline/