75 Mall Live Search
18:05 / E Shtunë, 27 Prill 2019 / indeksADMonline

Murati: Debati në komisionin ku raportoi Thaçi, debat i rrugëve dhe që s’do sjellë rezultat

Rreth tri orë ka zgjatur dje raportimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Komisionin Hetimor për dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

Përkundër kësaj, mbledhja e këtij komisioni ku edhe raportoi Thaçi, nuk prodhoi asgjë përveç, kundërshtimeve e polemikave mes presidentit me anëtarët e komsionit e po ashtu edhe ne mes të vetë deputetëve të këtij komisioni, përcjellë Indeksonline.

E gjithë ajo që ka ndodhur në këtë komision,  sipas monitoruesit të Kuvendit, Artan Murati, nuk i përngjan takimeve të parlamentit.

Debati dhe gjuha e përdorur, për Muratin, i ngjanë më shumë diskutimeve që bëhen në rrugë e në studio televizive se sa në komisione parlamentare.

“Ajo çka kemi parë sot në Komision Hetimor lënë shumë për të dëshiruar dhe faktikisht nuk i përngjan një takimi të kuvendit. A i ka qenë më tepër sikurse një debat i cili mund të zhvillohet në rrugë ose në një studio televizive mirëpo assesi jo diçka ose një takim që mund të zhvillohet në komision parlamentar”.

Murati në një prononcim për Indeksonline tha se diskutimet e bëra më së paku kanë qenë të ndërlidhura me temën për të cilën anëtarët e këtij komisioni kanë ftuar për raportim presidentin Thaçi.

 “Ka pas gjuhë jo parlamentare, kemi pa sjellje jo parlamentare, edhe në përgjithësi ka qenë një kaos i cili në fund të ditës nuk ka sjellë asgjë të re dhe nuk ka  arrit të zbardhë asgjë sa i përket çështjes për të cilën është ftuar presidenti”.

Ai përveç presidentit për neglizhencë, ka kritikuar edhe deputetë të cilët, sipas tij, ishin të ndarë në dy grupe.

“Fillimisht e kemi parë që presidenti në vazhdimësi e ka neglizhuar edhe komision hetimor dhe tani kur erdhi nuk është që deputet mund të merrnin diçka të rëndësishme prej kësaj vizite pasi që e pamë pati edhe duele të ashpra mes deputetëve dhe taborëve politike. Disa duke u munduar ta impresionojnë ish-shefin e partisë e të tjerët duke hyrë në tema të cilat nuk i përkasin ose nuk kanë qenë pjesë e rendit të ditës dhe nuk është  dashur të diskutohen sot”, tha Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Hulumtuesi nga KDI, ka komentuar edhe një nga çështjet më të përfolura gjatë takimit të komisionit hetimor për dëbimin e shtetasve turq, atë të ekspertit i cili do të analizojë dëshmitë e dëshmitarëve, përfshirë edhe të presidentit.

“Sa i përket ekspertëve, komisionet parlamentare e kanë në diskrecionin e tyre mundësinë që të marrin çfarëdolloj ekspertize të cilën ata e konsiderojnë të nevojshme për derisa pajtueshme mes anëtarëve të komisionit. Kjo është legjitime dhe është çështje tjetër nëse  ajo kundërshtohet prej palëve tjera në këtë rast, palëve të jashtme qysh mundet me qenë edhe presidenti i Kosovës apo edhe palët e tjera”, deklaroi Murati.

“Sikurse erdhi, sikurse s’erdhi prapë se prapë nuk është se po, ose se po shpërfaqet diçka e re ose informata të reja për ta lehtësuar një çështje e cila veçse i ka jep një hije të keqe edhe Kosovës”, mendon ai.

This image has an empty alt attribute; its file name is thaci-2.jpg

Mënyra se si do të ecë tani e tutje, procesi i intervistimit të Thaçit apo edhe  i shqyrtimit të kërkesës së tij për legjitimitetin apo jo të ekspertit amerikan, sipas Muratit, duhet të përcaktohet nga vet komisioni.

Ndonëse shprehet skeptikë lidhur me arritjen e një përfundimi në fund të intervisitmit.

“Faktikisht komisioni duhet ti japë rrugë në çfarë  mënyre do të shkojnë takimet e radhës mirëpo edhe nëse do të ketë takime të tjera mes presidentit dhe komisionit, nëse do të zhvillohen, sikurse u zhvillua sot kjo do të jetë krejt e parëndësishme  sepse prapë se prapë nuk është që po zbardhet  diçka e re sa i përket çështjes së deportimit të shtetasve turq mirëpo vetëm po ka tendenca që të ketë shpëlarje të hesapeve politikë mes taborëve të ndryshme politike madje edhe mes deputetëve dhe nuk është se po qet në dritë edhe fakti që presidenti po merr pjesë në këto takime”, përfundoi monitoruesi i Kuvendit.

Në fund të muajit mars, vitin e kaluar, gjashtë shtetas turq janë dëbuar nga Kosova.

Dëbimi i tyre ka nxitur reagime të shumta si dhe ka bërë që Kuvendi i Kosovës të formoj Komisionin Hetimor për të hetuar këtë çështje. /Indeksonline/

Related image