Mos koordinimi i liderëve shtetëror rrezikon pozicionin e Kosovës në Samitin e Berlinit
Nesër liderët shtetërorë të Kosovës do të marrin pjesë në Samitin e Berlinit, i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nga Presidenti i Francës, Emanuel Macron.
Mirëpo, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë vërejtje sa i përket pjesëmarrjes së krerëve të shtetit.
Sipas tyre, pozita e Kosovës në këtë samit do të dobësohet për shkak të mos koordinimit të liderëve.
“Kosova duhet të ketë një qëndrim, një qëndrim i cili është i qartë dhe i prerë i cili afirmon deklaratën e pavarësisë së Kosovës, vendimin e Gjykatës së Drejtësisë e cila e ka vulos shtetësinë tonë në këtë kufi”, tha Taulant Kryeziu nga Instituti Epik.
Ndërsa Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLSP), konsideron se theksi i kësaj ngjarje duhet të jetë krijimi i parakushteve se si duhet të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi.
Kryeziu nuk pret arritjen e një marrëveshje në këtë samit.
Ndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një letre të hapur ka shprehur shqetësimin për mungesën e një pozicioni jo të dakorduar.
KDI ka bërë thirrje që liderët në këtë samit të paraqiten njëzëri në raport me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. /Indeksonline/