Shqiptarët me kandidatin properëndimor për president të Maqedonisë së Veriut
Pas mosunitetit të partive shqiptare për të përkrahur kandidatin shqiptar Blerim Rekën në zgjedhjet e 21 prillit 2019, garën për president të Maqedonisë së Veriut këtë të diel do ta vazhdojnë kandidatët maqedonas, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska.
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili bashkë me kryetarin e “Besës” Bilall Kasamin në rrethin e parë të zgjedhjeve ka mbështetur Blerim Rekën, ka lënë të nënkuptohet se në rundin e dytë nuk do ta përkrahë asnjërin prej kandidatëve të mbetur.
I pyetur nga gazeta “Zëri” lidhur me këtë çështje, Sela ka thënë shkurt se do ta mbështesë Rekën, ndonëse ai më nuk është në garë për zgjedhjet presidenciale.
Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut i kanë thënë “Zërit” se kandidati nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski, mbetet opsion i duhur për t’u zgjedhur president i Maqedonisë së Veriut. Meqë sipas tyre të dy kandidatët kanë gjasa reale për ta marrë postin e kreut të shtetit, votat e shqiptarëve, siç ata janë shprehur, do të jenë vendimtare për ta përcaktuar kryetarin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut.