75 Mall Live Search
17:30 / E Martë, 30 Prill 2019 / indeksADMonline

Vëllai i dëshmorëve Bytyçi: Vuçiq ka kërcënuar familjen time, është momenti t’i tërhiqet vërejta Serbisë

Ilir Bytyçi, vëllai i Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçit, të vrarë nga forcat paramilitare serbe pas përfundimit të luftës ka dëshmuar sot para Kongresit Amerikan. Në këtë kongres ka dëshmuar edhe Vasfije Krasniqi Goodman e cila ishte dhunuar gjatë luftës dhe u bë femra e parë kosovare që publikisht tregoi çdo detaj të kësaj ngjarje.

Ilir Bytyçi mbajti një fjalim në emër të viktimave të luftës, ai tha se është në këtë Kongres për të thënë një porosi, se nëse duan paqe të qëndrueshme në Kosovë, nuk duhet anashkaluar dhe injoruar drejtësinë për viktimat.

“Jam nga një familje emigrantësh jam rritur në Kosovë dhe Amerikë së bashku me 3 vëllezërit e vrarë dhe nënën. Ishim të tmerruar kur pamë familjarë që gjatë luftës po përziheshin nga shtëpitë e tyre. Ne pamë se komuniteti në New York ishte i bashkuar dhe donin të shkonin të luftonin kundër pushtimit të Serbisë mbi Kosovën. Ylli, Mehmeti dhe Agroni ishin të vendosur të shkonin. Ata u pajtuan që të shkonin në një zonë të sigurt dhe humanitare, por një automjet pa targa i kidnapoi dhe ata u gjetën në Petrovosello në një varrezë masive. Vëllezërit e mi u gjetën me duar të lidhur dhe të ekzekutuar në kokë vetëm pse ishin shqiptarë. Ne po kërkojmë drejtësi sepse President i Serbisë Vuçiq po i mbron kriminelët, dhe lavdëron periudhën e Millosheviçit”, tha ai.

“Unë kam takuar më 2015 Vuçiqin për ti kërkuar drejtësi për vëllezërit e mi, dhe ai e ka kërcënuar familjen time” ka thënë Bytyçi.

Ilir Bytyçi ka vazhduar se janë shumë të zhdukur dhe Serbia nuk e ka dënuar askënd për fshehje të këtyre krimeve.

“Kongresi amerikan duhet të miratojë rezolutën që ti japin rëndësi të veçantë këtyre gjërave sepse Serbia po përpiqet të hyjë në BE dhe i është mundësuar hapja e kapitullit për anëtarësim. Është momenti që SHBA-të dhe BE-ja ti tërheqin vërejtjen Serbisë, që të  mos iu ikë çështjeve të tilla dhe t’i përballojë ato”, ka përfunduar Bytyçi./Indeksonline/