Vasfija shkruan pas dëshmisë së djeshme në Kongresin Amerikan: Drejtësia ka dështuar
Me të dridhura e shumë lot në sy gjatë ditës së djeshme, Vasfije Krasniqi-Goodman ka dëshmuar para Kongresit Amerikan për dhunimin që iu bë nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë.
Në çdo detaj ajo tregoi vuajtjen që përjetoi atëherë e që vazhdon ta kujtojë ende.
Ndërsa pas kësaj dëshmie ajo ka falënderuar të gjithë për mesazhet e pafunda që i kanë dërguar, transmeton Indeksonline.
Ajo tha se ata që u munduan ta poshtërojnë dhe lëndojnë janë ende të lira dhe se drejtësia ka dështuar në rastin e saj dhe për viktimat e luftës së Kosovës.
Shkrimi i plotë:
Dua t’ju falenderoj nga zemra për mesazhet e pafunda që me keni dërguar sot dhe dje.
Unë isha e nderuar që me ftesë të Kongresmenit Engel dhe Kongresmenit McCaul të jap dëshminë në Kongresin Amerikan për krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.
Unë jam një nga 20.000 gratë dhe burrat ndaj të cilëve është ushtruar terror dhe dhunë seksuale.
Ata që u munduan të më poshtërojnë dhe lëndojnë ende janë të lirë. Drejtësia ka dështuar në rastin tim. Drejtësia ka dështuar për viktimat e luftës së Kosovës.
Por unë kurrë nuk do të ndalem së thëni të vërtetën time dhe kurrë nuk do të ndalem së kërkuari drejtësi!