75 Mall Live Search
14:57 / E Martë, 07 Maj 2019 / indeksADMonline

Mungesa e certifikatave, ngritje tonesh e tollovi nëpër komuna

Që nga data 28 mars komunat e Kosovës kanë mbetur pa certifikata. E gjitha kjo pasi nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit është anuluar tenderi.

E gjendje aspak e mirë po  krijohet në Zyrat e Gjendjes Civile nëpër komunat e Kosovës. Në mungesë të formularëve, lëshimi i dokumenteve tash e sa kohë është bërë vetëm në letër të bardhë.

Ndonëse ishin ndarë mbi 1 milion euro për furnizim me rreth 600 mijë certifikata të tilla, tenderi u anulua pas disa ditësh.

Ministria e Punëve të Brendshme pati shpallur sërish tender, e furnizimi parashihej të fillojë nga 5 maji.

Por pavarësisht këtij paralajmërimi në komunë e Prishtinës qytetarët nuk arritën të furnizohen me certifikuara.

Madje një grua është detyruar të kthehet nga pika kufitare në Merdare pasi asaj nuk i është pranuar letra e bardhë e lëshuar në vend të certifikatës.

Me dy fëmijë në krahë gruaja erdhi përsëri në komunën e Prishtinës për të kërkuar përgjigje se pse po ndodhë një gjë e tillë dhe si t’ia bëjë ajo që t’i njihet letra e bardhë e cila iu lëshua në vend të certifikatës.

Njëri nga punëtorët e komunës i drejtohej asaj se nuk ka çfarë të bëjë dhe se duhej ta kuptojë edhe e njëjta atë.

Madje asaj i propozohej që të shkonte në komunën e Obiliqit pasi që sipas të njëjtëve aty ka posedim të certifikatave.

Ky problem është duke vazhduar që nga muaji mars , e që padyshim pasojat e anulimit të këtij tenderi do t’i vuajnë qytetarët e vendit.

Gjithë kosovarët të cilët planifikojnë të aplikojnë për ndonjë vizë në ndonjë prej ambasadave të huaja që gjenden në Kosovë, do të kenë probleme, meqenëse certifikatat që lëshohen në letër të bardhë mund të shfrytëzohen vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës./Indeksonline/