Po përgatitet katastrofë për Serbinë: Rezoluta në OKB, taksa… të gjitha janë ‘gatuar’ në Londër
Mediat në Serbi po vazhdojnë të merren me idenë e kryeparlamentarit Kadri Veseli për themelimin e një Tribunali për krimet dhe gjonocidin serb në Kosovë.
“Shqiptarët nga Kosova e kanë rikthyer tregimin për gjenocidin e serbëve ndaj popullatës shqiptare në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 1999. Sërish dikush nga dollapi e ka nxjerrë fashikullin dhe nga ajo është larguar pluhuri, dhe në të cilën shkruan REÇAK”, shkruan gazeta serbe “Espreso”.
Siç mëson kjo gazetatë “nga burime mirë të informuara diplomatike, e tërë “ideja për gjenocid ndaj shqiptarëve, dhunimet, por edhe taksa, janë gatuar në kuzhinat nga Londra”.
“Qëllimi është akuzimi i serbëve në të gjitha rrafshet. Sërish do të iniciohet rasti Reçak, kurse shqiptarëve nuk iu intereson që ai rast kohë më parë është dekonspiruar”, citon gazeta një burim.
“Shqiptarët punojnë gjithçka sipas planit. Ushtria, Platforma për dialogun, taksa, tregimi për dhunimin e 20 mijë shqiptareve, zgjerimi i kompetencave të Gjykatës Speciale në Prishtinë edhe ndaj serbëve, kurse ja tash edhe tregimi për gjenocid. Qëllimi përfundimtar natyrisht është miratimi i Rezolutës në OKB, dhe nëse kjo ndodh, atëherë atë etikë për serbët askush nuk do ta heqë. E dini, ku diçka kalon përmes dokumenteve zyrtare të OKB-së, për 200 vjet askush nuk do ta thotë të kundërtën. Kjo nuk është mirë”, ka shtuar tutje ky burim i gazetes serbe, shkruan Ballkani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se shumë shpejt do të iniciohet formimi i një Tribunali i cili do të gjykojë krimet dhe gjenocidin që shteti serb ka kryer gjatë luftës në Kosovë.
Këto deklarata Kadri Veseli i pat bërë ditë më parë në 20 vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë.
”Kjo është edhe arsyeja pse në Kuvend do të kemi një rezolutë, dhe jo vetëm rezolutë, por edhe iniciativë që ka të bëjnë me drejtësinë, e cila i vë para përgjegjësisë ata të cilët i kanë kryer këto krime”.
”Sot veç kam filluar takimet në Kuvend, me organet tona të drejtësisë, prokurorinë, gjyqësinë, me shoqatat e të pagjeturve e të viktimave të luftës, për të shkuar deri në fund, duke nxjerrë një vendim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, që të ketë një Tribunal, i cili duhet të jetë ose i Kosovës, në rastin më të mirë, por nëse ka hezitime, atëherë do të jetë Tribunal ndërkombëtar, për krimet të cilat i ka kryer Serbia mbi popullatën shqiptare”.
”Ne nuk do të ndalim derisa të dalë e vërteta dhe ajo është vetëm një: krimet në Studime dhe të gjitha masakrat e tjera i ka kryer shteti serb dhe kryerësit e këtyre krimeve, pjesa më e madhe e tyre, sot janë gjallë në Serbi. Ata duhet të përgjigje për krimet e tyre”, deklaroi Kryeparlamentari Veseli.
Ai ka thënë se shteti serb dhe forcat ushtarake, policore e paramilitare kanë kryer 186 masakra në gjitha vendet e Kosovës.
”Ka 20 vite që kalojmë nëpër këta përvjetorë. Janë dhimbje, lot, janë edhe krenari, janë edhe pakënaqësi, mllef, frustrim, për faktin se ne për çdo vit përkujtojmë fatkeqësitë e rënda të cilat i kanë ndodhur kombit tonë. Por, njëkohësisht e dimë edhe kush i ka bërë. Duke pasur parasysh që të gjitha këto krime të cilat janë kryer anekënd Kosovës, dihet kush i ka kryer. Nuk është vetëm masakra e Studimes. Janë kryer 186 masakra në tërë Republikën e Kosovës”.
”Janë 186 krime. Janë varrosur e rivarrosur. Një pjesë e tyre ende nuk e dimë ku janë. Do të thotë, kemi të bëjmë me një krim, me një gjenocid të cilin e ka kryer shteti i Serbisë, me organizimin e vet ushtarak, policor e paramilitar, të kontrolluara plotësisht nga kreu i Beogradit”.
”E gjithë kjo ka vetëm një shpagim: jo hakmarrje, jo revansh, jo konflikt. Ne nuk duam hakmarrje, nuk duam revansh, nuk duam konflikt, nuk duam luftë, jo vetëm me Serbinë, por me askënd. Duam paqe, por duam edhe shpagim, në bazë të drejtësisë ndërkombëtare”, ka thënë Veseli.