75 Mall Live Search
22:15 / E Enjte, 09 Maj 2019 / indeksADMonline

Zyra e BE-së ndanë çmimin “Evropian i Vitit” për Visar Ramajlin

Në Ditën e Evropës, shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka ndarë Çmimin e Evropianëve të Vitit, çmim të cilin për këtë vit e mori Visar Ramajli nga Kaçaniku.

Prezent në këtë event ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat Famit Limaj, Enver Hoxhaj, ministra dhe ambasador të akredituar në Prishtinë.

Shefja e Zyrës së Be-së, Nataliya Apostolova tha se duke qenë të bashkuar mund të arrihet një mirëqenie e jetesës për të gjithë qytetarët.

Apostolova  tha se të rinjtë kosovarë kanë shumë potencial dhe ata duan të jenë si moshatarët e tyre të BE-së. Sipas saj janë pikërisht rinia e Kosovës arsyeja se pse BE-ja vazhdon të investojë në Kosovë, dhe me fokus të veçantë në cilësinë e arsimit.

Shefja e Zyrës së BE-së tha se udhëheqësit nuk duhet të jenë të kënaqur me prosperitet kur të zgjuarit largohen, prandaj iu bëri thirrje të bëjnë gjithçka që të mirët mos të largohen nga Kosova.

“Kjo është arsyeja pse BE-ja ka vendosur dhe do të vazhdojë ta vendos rininë dhe arsimin si prioritet kryesor. Arsimi i mirë është çelësi për të siguruar një të ardhme prosperuese. Duam ta shohim sistemin arsimor të denjë për potencialin e rinisë që kam takuar. Që Kosova të ketë sukses në planin afatgjatë, nxitja duhet të vijë nga brenda. Të rinjtë po tregojnë rrugën. Asnjë udhëheqës nuk duhet të jetë i kënaqur me perspektivë ku më të mirë dhe më të zgjuarit duan të largohen. Në vend të kësaj ata duhet të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre që ata të duan të qëndrojnë në Kosovë. Investimi në arsim, krijimi i vendeve të punës, sundimi i ligjit dhe zhvillim të qëndrueshëm është rruga e drejtë“, tha Apostolova.

Në fjalimin e tij të rastit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar vendet e Bashkimit Evropian që t’i japin fund izolimit për qytetarët e Kosovës. Sipas tij Kosova gjeografikisht është pjesë e Evropës, dhe historikisht ajo aspiron të jetë pjesë e BE-së.

“Kosova është pjesë e Evropës gjeografikisht, politikisht dhe historikisht Kosova aspiron bashkimin me ju për të kontribuar në paqe, siguri dhe zhvillimet e qëndrueshme. Më tepër investime evropiane në Ballkan nënkupton më tepër mundësi për prosperitet. Sonte ftoj vendet evropiane që të njohin arritjet e Kosovës, por edhe duke festuar Ditën e Evropës, thërras edhe një herë për t’i dhënë fund izolimit të regjimit të vizave, pasi ne kemi përmbushur të gjitha kushtet. Edhe një herë urime Dita e Evropës, Kosova është e juaja”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, pronari i kompanisë fituese “KIVO”, Visar Ramajli shprehu kënaqësinë për çmimin e marrë, duke thënë se kjo nuk është përpjekje individuale por e të gjithë atyre që i kanë mbështetur.

“Është nder i madh për të marrë këtë çmim për gjithë ekipin tonë. Kjo nuk është një përpjekje  individuale, por ky është një qëllim që shkon edhe për partnerët, bashkëpunëtorët tonë dhe të gjithë që qëndruan bashkë me ne, përfshirë edhe institucionet e Kosovës. Ne jemi shumë të lumtur që kemi marrë këtë çmim dhe pasi sot jemi këtu të kremtojmë Ditën e Evropës, ju dëshiroj një mbrëmje të mirë”, tha ai.

Të nominuar për Çmimin Evropiani i Vitit ishin edhe Inovation Center Kosovo dhe Gjirafa.

Këtë çmim vitin që shkoi Zyra e BE-së e pati ndarë për dramtarugun, Jeton Neziraj