Probleme në LDK-në e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri akuzohet për ndërhyrje në zgjedhje
Lidhja Demokratike e Kosovës, nëndega në Smrekonicë të Vushtrrisë sot kishte paralajmëruar të mbaj Kuvendin Zgjedhor, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme të partisë.
Mirëpo, jo gjithçka shkoi sic ishte planifikuar, pasi dikush e pengoi këtë proces, shkruan Indeksonline.
Mbledhja u ndërpre menjëherë pasi kishte nisur, pasi disa persona ndërhynë në mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit.
Avni Avdiu, kryetar i nëndegës së LDK-së në Smrekonicë ka treguar për Indeksonline se çka ndodhi gjatë ditës së sotme, pak pasi nisi mbledhja e paraparë.
“Sot ishte planifikuar të mbahet Kuvendi Zgjedhor i nëndegës por u ndërpre, për arsye të ndërhyrjes së personave të kabinetit të kryetarit të komunës, Xhafer Tahiri, paraprakisht duke dërguar anëtar të subjekteve tjera që të dezorientojnë zgjedhjet në nëndegën”, ka theksuar Avdiu.
Ai tregon se si një person i PDK-së i ka thënë publikisht se si e ka dërguar dikush i kabinetit të kryetarit Tahiri për kë të votoj.
“Një person i PDK-së, publikisht erdhi e më tha se e ka thirr Shkëlzen Xhaferi ,asistenti i parë i Xhafer Tahirit që të vij e të votoj për personin e caktuar brenda LDK-së që kuvendin e ardhshëm të arrij qëllimet e tija të planifikuara. Ne u detyruam pasi nuk na liruan hapësirën anëtarët e subjekte tjera, që ta shtyjmë për kohë të pacaktuar deri të vendos kryesia për datën e re”, ka thënë tutje Avdiu.
Sipas tij, elektorati kërkoi që të dërgohet një vërejtje për këto ndërhyrje që ka bërë kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. /Indeksonline/