Ish-deputetja e LDK-së do ta padisë Flora Brovinën për shpifje
Në konferencës për media, pas intervistimit nga Prokuroria Speciale, deputetja Flora Brovina, ka thënë se Mevlyde Saraçi i ka dhënë zarfin në të cilën ndodhej fotografia të cilën e ka paraqitur dje në Kuvend.
“Personi që ma ka dhënë është aktivist për të drejtat e njeriut, ndërsa nënkryetarja e Komisionit ka qenë Mevlyde Saraçi që kemi punuar shumë bashkë. Këtë rast ajo ma ka sjellur zarfin dhe më ka thënë që kjo grua është 35 vjeçare, dhe e di rastin”, ka thënë Brovina sot gjatë ditës.
E për këtë deklaratë, deputetja Brovina do të përballet me padi për shpifje nga ish-deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi.
Ajo në një prononcim para mediave, ka bërë të ditur se do të padisë Flora Brovinën për shpifje, pasi sipas saj, ajo nuk e ka parë kurrë atë fotografi.
“ Në asnjë rast në asnjë moment unë nuk kam përdorur zarfe, e aq më pak gjatë jetës sime unë nuk jam marr me filma pornografik. Dhe unë ndihem shumë e turpëruar me përmendjen e emrit tim. Ndoshta ka qenë nxitim i zonjës Flora Brovina, të cilën e kam kolege, jo vetëm në politik sa kem qenë bashkë në Parlament, por dhe si bashkëqytetare. Por në asnjë moment nuk e pranoj përcjelljen e pafajësisë si fajësi, që unë të hënën të paraqitem në Policinë e Kosovës për të dhënë dëshmi për një fotografi të cilën nuk e njoh dhe nuk e kam pa kurrë. Sikur të kisha atë fotografi unë do të dërgoja menjëherë në Prokurori”, tha ajo. ”, ka thënë Saraçi.
Detyra ime e parë është që t’i tregoj opinionit se emri im është keqpërdorur. Nuk e di a e ka pas me qëllim apo ka gabuar, por emri im është potencuar pa të drejt dhe unë në këtë moment jam detyruar që të ndërmarrë hapa”.
Të hënën, Saraçi do të jep deklaratë edhe në Polici lidhur me fotografinë që Brovina e ka paraqitur para mediave, e për të cilën sot kërkoi falje duke thënë që “mund të jetë e falsifikuar”.
“Por e para e punës është që të hënën të shkoj të jap deklaratën në polici…patjetër që do ta padis sepse kjo është drejtpërdrejtë shpifje kundër ish një deputete dhe një grua që ka punuar gjithë jetën për Kosovën”, ka shtuar ajo. /Indeksonline/