Budallallëku i radhës nga Gjuriq: Thaçi, shtetas i Serbisë!
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq ka vazhduar me deklaratat e tij aspak të matura.
Këtë herë Gjuriq tha se ‘Shqipëria e Madhe’ ishte një projekt fashist i mposhtur më 9 maj 1945, duke shtuar se projekti për ‘Shqipërinë e Madhe’ është konsumuar dhe është bërë copë-copë.
Në deklarim e sipër, Gjuriq nuk u mjaftua me kaq duke e quajtur presidentin kosovar, Hashim Thaçi si shtetas të Serbisë dhe përfaqësues të institucioneve të përkohshme.
“Hashim Thaçi, si shtetas i Serbisë është dashur ta dijë se Serbia nuk e ka ndërmend bashkimin me Shqipërinë dhe se çdo formë e separatizmit është në kundërshtim me normat e të drejtës kombëtare e ndërkombëtarë”, tha ai.
Ndryshe, presidenti Thaçi teksa mori titullin qytetar nderi të Hasit, foli edhe për Luginën e Preshevës, e që sipas tij do t’i bashkohet Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës, pa u prekur as Ujmani dhe as Trepça në këmbim.
“Ju keni qenë bashkërisht me në luftë dhe bashkërisht do të jetojmë në liri dhe bashkërisht do të jetojmë në një të ardhme të afërt, në një shtet të përbashkët Kosovë dhe Shqipëri. Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe grave, zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si parakusht për bashkim kombëtar”, ka thënë presidenti Thaçi./Indeksonline/