Thaçi deklarohet për aksionin e sotëm, ndër të arrestuarit edhe një rus i kamofluar si diplomat
Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka mbajtur një deklaratë për media lidhur me aksionin e sotëm të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në komunat veriore.
Thaçi ka ftuar qytetarët e Kosovës pa dallim etnie që të marrin këtë si një çështje normale për rend dhe ligj, e që nuk i drejtohet asnjë komuniteti specifikisht.Tutje ai tha se duhet ‘i jemi mirënjohës qytetarëve për bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.
“Sapo jam informuar prej autoriteteve të sigurisë së Kosovës, përgjegjësve të policisë të inteligjencës, por edhe nga Kryeprokurori dhe mekanizmat e tjerë të Kosovës për angazhimin e tyre në luftën kundër kontrabandës, krimit të organizuar dhe zyrtarëve të tjerë të involvuar por edhe qytetarë në këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale. Është një ndërmarrje e institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj, për të luftuar të keqen, si fenomen negativ. Është një aksion i ndëmarrë në hapësirë të gjerë të Kosovës, ku ka të arrestuar edhe zyrtarë edhe qytetarë në komunat e ndryshme të Kosovës të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serb, boshnjakë. Është i arrestuar edhe një rus i kamofluar në petkun e diplomatit për të penguar punën e policisë në aksionin e tyre”, tha Thaçi, shkruan Indeksonline.
Presidenti Thaçi iu kundërpërgjigj edhe presidentit serb Vuçiq ku tha se ai e di shumë mirë që nuk lëviz në drejtim të Kosovës, diçka që është e pamundur, e paimagjinueshme.
“Nëse do të ndodhë diçka e paparashikueshme, institucionet e sigurisë, përfshirë FSK-në do të jenë të gatshme për intervenim.Deklarimet nuk janë kërcënime për luftë, por janë opsion i tyre i brendshëm për të fituar një simpati brenda opinioni publik në Serbi. Askush nuk ka nevojë t’i mbrojë njerëzit që kanë shkelur ligjin. Kërkojmë bashkëpunim për të luftuar kundër krimit të organizuar pasi kjo është rajonale. Nuk lejojmë që të përfshihen në krim kushdoqotë, kërkojmë të jenë konkret dhe bashkëpunues”, shtoi Thaçi.
Ndër të tjerash presidenti theksoi se institucionet përkatëse të sigurisë janë duke kryer në përpikëri me ligjin të gjitha përgjegjësitë që kanë dhe nuk do të lejohet asnjë barrikadë të vihet nga askush.
“Kufiri Kosovës është në pikat 1 dhe 31 dhe duhet cekur se Kosovës është shtet i pavarur dhe si i tillë nuk ia lejon kurrë Serbisë të kthehet në Kosovë”, përfundoi Thaçi./Indeksonline/