“Shqipëria ngjason me Napolin”, rrëfehet Reja: Ja si më bindi Edi Rama për të marrë drejtimin e Kombëtares
Edi Reja u emërua pak kohë më parë në stolin e Kombëtares shqiptare, duke zëvendësuar Cristian Panuçin e shkarkuar.
Së fundmi në një prononcim për “Corriere dello Sport”, tekniku 74-vjeçar ka ndarë mendimin e tij në lidhje me disa nga çështjet kryesore në futbollin italian, si dhe ka rrëfyer aventurën e tij me Shqipërinë. Reja tregon prapaskenat e firmës me kuqezinjtë si dhe nuk nguron të shprehet optimist për sa i përket ecurisë.

A do të shkojë Sarri te Juventusi? Mendoj se po! Sarri është një teknik i veçantë. Do doja ta shihja më mirë me një ekip të ri dhe cilësor. Futbollistët e rinj do ta ndiqnin plotësisht ndërsa është më e vështirë me më të vjetrit. Sarri është shumë kërkues dhe i përpiktë në pikëmapjen taktike, por mbetet një trajner i madh.
Aventura te Shqipëria – “Kam deklaruar se nuk do të drejtoj me klube, por nëse me jepet një shans me ekip kombëtar, e marr në konsideratë. Kështu ndodhi. Nuk është ai stresi i përditshëm, por në kombëtare ka një përgjegjësi të madhe. Këtu në Shqipëri ka një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin.

Ndihem i fortë nga pikëpamja fizike. Kam nënshkruar deri në nëntor. Ka 6 ndeshje zyrtare, më kanë ofruar kontratën edhe për 2 vite. Thashë të presin dhe të shohim si do të shkojnë gjërat. Nëse gjithçka shkon mirë do të vazhdojmë edhe për 2 vjet.