Reagon Pacolli: Presioni ndaj lojtarëve serbë e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas konfirmimit se dy lojtarë serbë të përfaqësueses malazeze , pas presionit të Serbisë, kanë refuzuar të dalin në fushë në perballjen me përfaqësueses e Kosovës që do të zhvillohet nga ora 20 e 45, përcjellë Indeksonline.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se presioni ndaj trajnerit dhe lojtarëve e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë.
Postimi i plotë i Pacollit:
Po ndjek me shqetësim situatën në lidhje me ndeshjen e futbollit midis Kosovës dhe Malit të Zi. Mali i Zi është mik dhe partner i Kosovës. Serbia nuk do ta pengojë këtë miqësi.
Presioni ndaj trajnerit dhe ndaj disa lojtarëve nga Beogradi dhe mediat serbe e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë për të ndërhyrë në vendet fqinje.
Kosova dhe Mali i Zi do t’i kapërcejnë këto pengesa nga Beogradi dhe të dyja vendet tona njohin taktikat e Serbisë.
Sytë i kemi tek djemtë tanë sonte në Malin e Zi dhe ju urojmë atyre fitore.