Gjilani shenjëzon varrezat myslimane, katolike, ortodokse, protestante dhe hebreje
Në kuadër të aktiviteteve të Ditës së Çlirimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me organet tjera kompetente, sot kanë bërë shenjëzimin e varrezave të qytetit sipas përkatësisë së besimeve fetare.
Haziri njoftoi se përpos shenjëzimit të varrezave të vjetra, po punojnë paralelisht në hapjen dhe ndërtimin e varrezave të reja të qytetit, përkatësisht tek pishat e lagjes së Zabelit, sikurse edhe rikonstruimin dhe sanimin e dëmeve në varrezat e vjetra.
“Jemi në fazën e shënjëzimeve finale për varrezat e vjetra të qytetit. Shenjëzimi deri në konzervim është projekt që do të fillojë tash dhe do të vazhdojë në dy vitet e ardhsme. Kjo nënkupton që ne do t’i sanojmë dhe organizojmë drejt një mbyllje të përhershme të varrezave të vjetra të qytetit dhe natyrisht ne kemi krijuar ambient ashtu siç e jetojnë të gjallët ku koekzistojnë fetë dhe etnitë e ndryshme në Gjilan, gjithashtu edhe varrezat nuk i kemi të ndara”, tha Haziri.