Pentagoni: Incidenti në Detin e Omanit, problem ndërkombëtar
Sulmet për të cilat akuzohet Irani në Detin e Omanit, përfaqësojnë një problem botëror dhe jo vetëm amerikan, deklaroi sot shefi i Pentagonit, Patrick Shanahan, duke kërkuar krijimin e një konsensusi ndërkombëtar për ta rregulluar.
“Ne kemi një problem ndërkombëtar atje, në Lindje të Mesme. Nuk është një problem amerikan”, deklaroi për median ministri i përkohshëm i Mbrojtjes, duke iu referuar sulmeve të së enjtes kundër dy naftëmbajtëseve.
Për këtë arsye ushtria amerikane publikoi një video ku tregohet se njërës prej naftëmbajtëseve i është afruar një anije e Gardianëve të Revolucionit, ushtria ideologjike e regjimit iranian, që nxjerr një minë të pashpërthyer nga njëra prej dy anijet.