75 Mall Live Search
08:30 / E Mërkurë, 19 Qershor 2019 / indeksADMonline

32 serbë pa punuar fare i kanë marrë mbi 130 mijë euro paga nga buxheti i Kosovës

32 punëtor të ish-strukturave paralele serbe janë paguar nga buxheti i shtetit pa shkuar fare në punë.

Duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, përkatësisht në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Qeveria e Kosovës me vendim, ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës.

Në MAShT, pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 32 nëpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, transmeton Ineksonline.

Këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në aktemërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri.

Për zyrtarët e lartcekur ministria, nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon Rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës e hartuar nga Ministria e Administratës Publike, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre.

Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për këta 32 zyrtarë ishte 134,657€.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak se nuk janë zbatuar kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë të punësuarit janë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës dhe arsyeve tjera, përfshirë edhe rrethanat politike.

Pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, nuk kanë bazë të qartë ligjore dhe nuk janë pagesa të rregullta. Si të tilla, mund ta dëmtojnë buxhetin e ministrisë.

ZKA ka rekomanduar që ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore.

Ndryshe,  Indeksonline ka raportuar më parë se edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka paguar 92 mijë euro për 18 punonjësit serbë që nuk kanë shkuar fare në punë.

Njësoj, edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, ku zyrtarët edhe pse nuk kanë shkuar në punë, për ta është paguar 97 mijë e 733 euro./Indeksonline/