Një muaj paraburgim për personin që u kap me mbi 48 kg marihuanë në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit N. B. shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 20 qershor 2019 dhe do të zgjasë deri më 19 korrik 2019.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Shaqir Zika, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit N.B., konform dispozitave të KPPRK-së.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit. /Indeksonline/