75 Mall Live Search
18:34 / E Premte, 21 Qershor 2019 / indeksADMonline

Reagime të shumta pas vendimit të gjykatës lidhur me rastin e Almirit

Gjykata në Kumanovë, nuk ka ndryshuar vendimin për katër të akuzuarit për vrasjen e Almir Aliut, edhe pas rigjykimit.

Vendimi i gjykatëses Maja Denkoska nuk ndryshoi aspak nga ai paraprak. Katër të akuzuarit u shpallën fajtor dhe u dënuan njëjtë si herën e parë.

Për veprat e kryera penale, Gjykata i dënon në mënyrë identike si në vendimin e parë. Boban Iliq me burg prej 6 viteve, Sedat Aliu me burg 6 muaj, Sami Demiri me burg prej 9 muaj dhe Abdulla Aliu me burg prej 9 muaj – tha Maja Denkoska, Gjykatëse.

Pas vendimit, kanë reaguar familja Aliu.

Ata, vendimin e gjykatës e cilësuan vrasje të dytë të Almirit.

Kurse avokatët e familjes Aliut vendimin e cilësuan drejtësi të njëanshme, duke shtuar se përveç në Gjykatën e Apelit, lëndën do ta dërgojnë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Strasburg.

Për këtë vendim ka reaguar edhe Aleanca për shqiptarët.

Ata thanë se Gjykata Themelore e Kumanovës e dëshmoi se vrpron jashtë ligjeve të Maqedonisë së Veriut.

“Gjykata Themelore e Kumanovës edhe kësaj radhe dëshmoj se vepron jashtë ligjeve te Maqedonise së Veriut, të cilat ligje qartë rregullojnë autorizimet e Gjykatave dhe Gjykatësve. Sot jemi dëshmitar se edhe kësaj radhe vendosi drejtësi të njëanshme, për herë të tretë e vrau Almirin e vogël duke i dhënë dënimin minimal vrasësit Boban Iliqit por edhe më e keqja duke i dënuar edhe familjarët e Almirit të vogël. Me shpalljen e aktëgjykimit u pa qartë se kishte të bënte me një dënim jo i bazuar në fakte dhe dëshmi të cilat dëshmi saktë e caktojnë kush ishte vrasësi dhe kush ishte i dëmtuari. Me aktgjykimin e sotëm Gjykata themelore e Kumanovës nuk i pranoj provat te cilat edhe opinioni i gjerë e dinë mirë se familja e Almirit ishte e dëmtuar, por përkundrazi ata u dënuan. Shqetësimet që i kemi ngritur në vazhdimësi si ASH që nga rikualifikimi i lëndës e deri në këtë gjykim skandaloz dëshmon se gjyqësia në Maqedoni është ende e kapur, selektive, joprofesionale dhe me këtë imponohet reforma radikale të gjyqësorit e cila për fat të keq edhe sot e kësaj dite aktëgjykimet i bazon në baza të përkatësisë etnike dhe më të fortit”, thuhet në reagim.

Në seancë nuk morri pjesë prokurorja e rastit, Suzana Kusigerska dhe as avokati mbrojtës i Boban Iliq, Stevan Pavllevski.

Prokuroria Publike njoftoi se do të ankohet për lartësinë e vogël të dënimit për të akuzuarin e parë.

Vendimin e shkallës së parë Gjykata e Apelit e hodhi poshtë duke e kthyer rastin në rigjykim me arsyetimin se procedura ka shënuar dhjetëra parregullsi. Në akuzën e parë, Boban Iliq dyshohej për “vrasje”, ndërsa më pas Prokuroria Themelore e Kumanovës, duke u bazuar në ekspertizën neuro-psikiatrike rikualifikoi në vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion me pretekstin se Iliq nuk ka qenë në vetëdije të plotë kur e ka kryer veprën.

Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë.