75 Mall Live Search
15:29 / E Premte, 28 Qershor 2019 / indeksADMonline

FFK ndau licencat dhe certifikatat për trajnere e trajnerë

Federata e Futbollit e Kosovës, sot, ka organizuar ceremoninë e shpërndarjes së licencave dhe certifikatave për trajnerë dhe trajnere prej 5 kurseve të mbajtura dhe të përfunduara me sukses. Me këtë rast u bë shpërndarja e licencave për 120 pjesëmarrës, të cilët në periudha të ndryshme kanë qenë pjesë e kurseve të organizuara nga FFK për Licencën B për një grup, pastaj për dy grupe Licenca C, për një grup Licenca C për portierë si dhe certifikata “Grassroots Education Cours” për femra, thuhet në njoftimin e FFK-s.

Në këtë ceremoni morën pjesë nënkryetari i FFK-së, Agim Dibrani, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, drejtori teknik i FFK-së, Michael Ness, përfaqësuesja e Ambasadës së Gjermanisë, Zana Elshani, instruktorit të DFB-së, Horst Krieste, menaxherja e Grassroots, Sanije Krasniqi dhe zyrtari i edukimit të trajnerëve, Lorik Fazlija.

Fillimisht në emër të presidentit Agim Ademi dhe KE të FFK-së të gjithë pjesëmarrësit e kësaj ngjarje të rëndësishme i përshëndeti nënkryetari Agim Dibrani, i cili theksoi se FFK gjithmonë do të mbështesë shkollimin e kuadrove të reja të trajnerëve, teksa trajnerëve të licencuar u uroi suksese në të ardhmen në punën e tyre.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu theksoi se prioriteti kryesor i FFK-së është edukimi dhe licencimi i trajnerëve të futbollit.

“Para 10 viteve kemi qenë të detyruar të bëjmë licencime të tilla në Federatën e Futbollit të Suedisë e pastaj edhe me Federatën Shqiptare të Futbollit, derisa individualisht trajnerët kanë bërë licencime edhe në federata tjera. Personalisht licencën e kam marrë në Gjermani dhe ka qenë shumë e nevojshme që pikërisht disiplinën dhe procesin e edukimit gjerman ta përfshijmë në sistemin tonë të edukimit, për çka i jemi falënderues DFB-së për bashkëpunimin me ne. Si rezultat i këtij partneriteti përveç procesit të edukimit kemi marrë edhe një ekspert gjerman si drejtor teknik dhe kemi arritur që të bëjmë licencimin e trajnerëve edhe nëpërmjet Federatës gjermane të futbollit. Mirëpo, ju jeni gjenerata e parë që licencoheni në Kosovë në bazë të sistemit të UEFA-s, të përcaktuar nga Jira Panel, që i cakton standardet e përgjithshme të sistemit të edukimit. E di që keni pasur një periudhë të vështirë, ngase ky kurs kërkon angazhim e përqendrim, por tash kur e keni përfunduar sigurisht se e shihni sa i rëndësishëm dhe sa i ka themelet e forta ky licencim. Ju dëshiroj sukses të gjithëve e sidomos vajzave tona, me të cilat krenohemi dhe shpresoj se do të vazhdoni me edukim deri në Licencën UEFA Pro”, ka theksuar Salihu.