Haradinaj rendit punët që ka bërë në Qeveri, shprehet i bindur se AAK do të jetë partia e parë në vend
Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në Kuvendin e punës së partisë që ai e drejton, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, përcjellë Indeksonline.
Haradinaj në këtë takim me delegatët e AAK-së ka renditur gjërat që qeveria që ai drejton ka bërë.
Formimi i ushtrisë, shuarjen e idesë për korrigjimin e kufijve, vendosjen e taksës 100%, përfundimi i autostradës “Arbën Xhaferi”, nisja e autostradave të reja e të tjera, ishin vetëm disa nga projeketet që Haradinaj përmendi.
“Janë disa momente kyçe që e bëjnë politikën tonë të qëndrueshme madje edhe historike. Ne e kemi përmbyllur periudhën e sigurisë duke i dhënë mandat mbrojtës Ushtrisë së Kosovës, tash Kosova e ka ushtrinë e vet. Ne arritëm ta delegjetimojmë idenë e korrigjimit të kufijve që në thelb e hidhte poshtë vendimin e GjND-së dhe pakon e Ahtisarit, duke suspenduar Kushtetutën tonë e që realisht do të rezultonte edhe shpërbërjen e shtetit të Kosovës.”
“Me taksën 100 përqind i treguam botës që jemi të zot të vetvetes dhe nuk lejojmë as Serbinë, e as një shtet tjetër ta rrezikojë Kosovën. I përmbushëm kriteret e liberalizimit të vizave dhe presim që të merr vendimin ashtu siç na tha po Gjermania, sot udhëtoj për Paris ku do të kem takime vetëm për këtë temë, se Kosova është gati e ka kryer punën e vet. Gjatë këtyre 20 muajve në qeverisje arritëm ta konsolidojmë sistemin e drejtësisë, fuqizuam gjyqtarët dhe prokurorà «t me dyfishim të pagës, rritëm numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, numrin e stafit profesional. Pra, që të gjithë u kthyem në përkrahje të rendit dhe ligjit, askush nuk është mbi ligjin, Kosova tash ka gjyqësorin e pavarur dhe është kompetent për ta luftuar krimin. Paralelisht iu qasëm zhvillimit ekonomik duke u orientuar në shumë drejtime, përmes taksës 100 përqind mbështetëm prodhuesin vendor, u rrit punësimi, u rrit prodhimi dhe konsumimi i produkteve tona”.
Ai më tutje, ka thënë se për dallim prej partive të tjera, AAK “guxon të krijoj” andaj edhe duhet të jetë para subjekteve të tjera politike.
“Në Bruksel dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë devijoi në dialog për kufij e territore, tani presim një kornizë marrëveshje përfundimtare që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Edhe si parti ne po rritemi bashkë me shtetin tonë…Vetëm Aleanca për dallim prej cilësdo parti politike në Kosovë, vetëm Aleanca mundet me ec në krijimin e një vlere të re, pra me krijua ata që i mungon Kosovës, e kjo është më shumë rend, ligj e siguri dhe më shumë sovranitet dhe më shumë zhvillim ekonomik. Nëse iu pyet dikush pse Aleanca para partive tjera, sepse Aleanca guxon me krijua. Shembulli i fundit, krejt institucionet e Kosovës janë të ngulfatura, jemi të vendosura nëpër objekte që nuk kanë qenë të parapara për këto funksione që i kryejnë. Që 20 vite është diskutuar me dal një herë prej qendrës së qytetit, kur të na vije një vizitor krejt qyteti bllokohet, 4 orë nuk mund t’i dërgosh fëmijët në çerdhe, marrin me qira objekte dhe jemi në situatë të rëndë. Kjo Qeveri, pra Aleanca po guxon me e nis Prishtinën e re, a dini pse guxojmë, sepse nuk është projekt me vjedh ndonjë pushtetar apo dikush tjetër, por është një projekt me krijua vlerë të re”, ka thënë Haradinaj. /Indeksonline/