75 Mall Live Search
14:49 / E Hënë, 01 Korrik 2019 / indeksADMonline

Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti u konfiskuan mbi 600 kg marihuanë dhe u arrestuan 725 persona

Policia e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media ku u bën të ditura operacionet e fundit të nga njësitet e antidrogës.

Me këtë rast, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha se janë realizuar operacione të shumta dhe të suksesshme në kuadër të luftimit dhe parandalimit me substanca të ndryshme narkotike.

“Gjatë këtyre operacioneve janë konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave të dyshuar narkotike, janë arrestuar numër i madh i personave të dyshuar si dhe janë shpartalluar disa grupe të ndryshme kriminale. Policia në bashkëpunim me autoritete tjera duke përfshirë edhe organizata joqeveritare në vazhdimësi po punojmë për parandalimin e rasteve të abuzimit me substanca narkotike, megjithatë në aspektin ligjor ne do të ndërmarrim masa rigoroze ndaj atyre që janë të involvuar në trafikim dhe vepra tjera të kundërligjshme”, ka thënë Hoxha

Tutje ai ka përmendur edhe rastet kur Policia e Kosovës ka konfiskuar narkotikë dhe ka arrestuar persona të dyshimtë lidhur me vepra të ngjashme.

“Lidhur me rastet dhe konfiskimet gjatë vitit të kaluar Policia ka iniciuar 1866 raste që ndërlidhen me substanca narkotike, janë 2322 persona të dyshuar prej tyre 2171 persona të arrestuar. Gjatë këtyre operacioneve në vitin 2018 është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e substancave narkotike, pra rreth 980 kilogram marihuan, ndërsa heroinë janë rreth 20 kilogram. Ndërsa gjatë periudhës janar-qershor 2019 kemi të iniciuara 613 raste, me 766 të dyshuar dhe 725 persona të arrestuar. Ndërsa konfiskimet e drogave kanë shkuar mbi 600 kilogram”, ka thënë ai./Indeksonline/