75 Mall Live Search
17:11 / E Hënë, 01 Korrik 2019 / indeksADMonline

13 Hijet e Lirie Dedvukajt

Ishin vitet 2000 kur Lirie Dedvukaj u shfaq në televizionet shqiptare me videoklipet dhe këngët e saj, që si rrallëherë vazhdojnë të kujtohen me nostalgji.

Vajza shqiptare nga Tuzi i Malit të Zi u largua pas disa viteve karrierë në Shqipëri drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku qëndron aktualisht.

Nëse “M’ka dhan Baci 12 vjeçe”, “Për ato puthjet e djalit”, “Kam një mollë e kam një ftue” apo “Brenda teje” nuk ju kujtohet, “Dridhe Sonte” me siguri ju kujtohet… vitin e kaluar mund ta shihje në Instagramin e çdo shqiptari që jeton jashtë vendit dhe jo vetëm!

Edhe pse është shprehur që nuk i ka shumë me qejf intervistat, Liria nuk hezitoi të ishte pjesë e “13 Hijet…” në Indeksonline.

1. E ke nisur karrierën muzikore në Shqipëri, kur brezi i sotëm ndoshta nuk kishte lindur akoma. Tashmë je vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vazhdon punën dhe karrierën atje. Çfare të shtyu të largohesh nga Shqipëria e të zhvendosesh në SHBA?

Unë kam përfunduar gjimnazin në Tuz dhe pasi përfundova shkollën e mesme atje, u regjistrova në Universitetin e Prishtinës në Kosovë, pikërisht në Fakultetin e Filologjisë për gjuhë angleze dhe letërsi.

Aty kalova afro dy vite dhe nga aty u zhvendosa në Amerikë për të vazhduar studimet. Përveç studimeve, e zgjodha Amerikën, si shumica e shqiptarëve që kanë lënë vendlindjen për një jetë më të mirë, edhe unë u largova me dëshirën për të pasur diçka më të mirë.

2. Të merr ndopak malli për Shqipërinë apo…?

Sigurisht që po! Më merr për familjarët që kam atje, për një pjesë të shoqërisë, por edhe për mallin e adhuruesve të mi që ngrita karrierën atje.

Fal shëndetit dhe buxhetit çdo herë që kam nostalgji dhe mall për vendlindje shkoj për vizitë.

3. “Per ato puthjet e djalit” apo “Mkan dhan Baci 12 vjeçe” jane disa prej këngëve të tua që dëgjohen akoma. Ti vetë i këndon akoma në eventet që je pjesë apo edhe ti, si shume prej kolegëve, këngët e vjetra nuk i ke aq qejf?

Në repertorin tim gjejnë vend disa nga këngët e vjetra sepse vetë publiku i kërkon ato. Ndër më të kërkuarat janë “Bukurosh malësor”, “Me më puth nuk është kollaj”, e mbi te gjitha, kënga që kaq shumë e duan “M’ka dhan baci 12 vjeçe”.

Edhe në YouTube ende klikohet dhe janë mbi 1 milion klikime të vërteta, jo të blera.

Dua ta prek pak historinë e perzgjedhjes së kësaj kënge…

Kjo këngë është e vjetër, e përpunuar nga vëllai im Luigji. Më kishte lutur disa vite që ta bëja këtë këngë, por une e kisha refuzuar sepse m’u dukej tematika e saj qesharake dhe, jo ajo cfarë unë pëlqeja të këndoja. Me insistimin e tij më në fund i thash OK! Po e bëjmë këngën. Dhe ja rezultati në fund doli me sukses!

4. Para dy vitesh doli në modë kontrata me labela të huaj te artisteve shqiptare, ku cdo kengetar na doli me nje marreveshje me Sony Music, Columbia apo Universal. Si e pe kete periudhe ti andej nga matane oqeanit?

Unë gëzohem dhe jam shumë krenare që më në fund, ne shqiptaret po tregojmë se dimë t’bëjmë muzikë të mirë dhe kemi talente.

Është krenari kur dëgjon se një shqiptare apo shqiptar dëgjohet në të gjithë botën. 

5. Mendon se artistët shqiptarë duhet të synojnë tregun ndërkombëtar apo të synojnë tregun shqipfolës siç është diaspora amerikane?

Nëse një artist ka talent për çfarëdolloj rryme muzikore, pse jo, le të jetë në tregun ndërkombëtar.

Ka edhe nga ata që duan dhe mundohen, por nuk ia arrijnë dhe prap i kthehen tregut shqipfolës. Edhe kjo s’është zgjedhje e keqe sepse nuk i dihet asnjëherë fatit.

6. Muzika të sjell apo të merr më shumë para?

Uh! Muzika të sjell më shumë, por edhe të merr, të jemi të sinqertë!

Në përgjithësi duhet të punosh dhe të investosh pandërprerë, sepse është goxha konkurrencë në këtë treg. Pra, që të fitosh duhet që të kesh dhënë për vite të tëra. Pse kaq e lehtë është kujton ti? [qesh] 

7. Je mike mjaft e afërt me Emina Çunmulajn, Gjyste Vulajn dhe Afërdita Dreshaj. E keni menduar të sillni një projekt muzikor të treja sëbashku? Ju të dyja këngëtare, Emina dhe Afërdita figurante…

Ne jemi të gjitha malsore dhe kam raporte të mira me të gjitha.

Emina është e para modele shqiptare që ka korrur suksese nëpër botë, në çdo pasarelë dhe ka qenë e kërkuar nga çdo designer dhe në shumë kopertina te njohura si Vogue, Elle, Bazaar. Ajo është një grua shumë e thjeshtë dhe modeste.

Po ashtu Gjyste Vulaj, është ndër këngëtaret më të kërkuara këtej që me vullnet dhe punë ia ka arrit. Vazhdon ende të jetë në listën e më të kërkuarve. E njejta gjë edhe për Afërditën, e suksesshme në këngë dhe modë, ndoshta s’duhet të flas shumë për të meqë është goca e tezes sim dhe po del sikur me qëllim po e lavdëroj. [qesh]

Por duhet cek realiteti se edhe ajo me talentin dhe bukurinë e saj si pjesëmarrëse në Miss Universe dhe me muzikë ka pasur shumë suksese.

E sa i përket këngës, mirë do të ishte ta bënim së bashku… hmmmm nuk është ide e keqe. Nëse gjëjme mirëkuptim unë nuk do e refuzoj, kurrësesi!

8. Vitin që lamë pas publikove këngën “Dridhe Sonte”, e cila duhet thënë është një nga këngët më të bukura të sjella vitin që lamë pas. Tani na trego, sa e pagove Eminen si PR të këngës?

HAHAHAH! Mendoj se më mirë mund të përgjigjet Emina për këtë pyetje. Ka qenë free publicity të jem e sinqertë. Ne këtej nuk bëjmë kështu gjërash [qesh]

Emines i them vetëm: “Thank you from my bottom of my heart for supporting my music/ Faleminderit nga thellësia e zemrës që mbështet muzikën time! “

9. Cfarë do të të bënte të lije Amerikën dhe të ktheheshe në Shqipëri, për të jetuar?

UA! Si t’ia kthej kurrizin mirëqenies së këtij sistemi që jam mësuar tashmë [qesh]

Bëj shaka për këtë, por janë shumë gjëra , me të cilat jam mësuar të jetoj dhe kur vij atje them: “Ua, pse kështu bëjnë këta?” për çështje parregullsie etj.

Por sidoqoftë, nuk i dihet asnjëherë jetës!

10. A ke ndonje ëndërr në sirtar?

Zotit i falemnderit për të gjitha!

Sigurisht që ëndrrat nuk mbarojnë, por pajtohem me këto çfarë kam tani. Është e pamundur që t’i ketë njeriu të gjitha. Të jemi me shëndet të plotë është e para, pastaj tjerat.

11. Para pak ditësh kishe edhe përvjetorin e martesës dhe nga fotot që poston pamë që vitet kishin ngecur në vend. Atëherë, çfarë eliksiri konsumon?

Hahahahahah, ti po thua që unë jam sikur vera e kuqe, sa më e vjetër – aq më e mirë.

Besoj dhe mendoj që gjenetika dhe kujdesi në përzgjedhjen e ushqimit është eliksiri më i mirë! Edhe ndoshta pak fitnessi ndihmon në mirëmbajtje të shëndetit dhe trupit.

12. Nese sheh instagramin tend, eshte mjaft i kuruar dhe ti dukesh mjaft ne forme. Na thuaj pak rutinen tende te perditshme?

Mua më duhen 6 orë gjumë ose përkundrazi, mos fol me mua!!  (përvec fundjavës që nga udhëtimet e shpeshta nuk mund të fle rehat)

Pastaj kafja e mëngjesit është e domosdoshme, e shoqruar me protein bar (“çokollatë me protein).

Mëngjesin mund ta konsumoj në çdo orë të ditës dhe i dua shumë vezët.

Palestër mundohem më së pakti 3-4 herë në javë (kjo varet nga sezoni).

Shopping is my therapy!

Shyqyr tani shumicën e shoppingut e bëj online 24/7! [qesh]

Tani e kam shumë të vështirë të dal për drekë dhe darkë me familjen ose shoqëri, sepse unë punoj në fundjava dhe kur ata janë gati për të dalë nuk jam unë dhe e anasjellta. Rrallë dal por përpiqem në ndonjë fundjavë që kam të lirë.

Ka edhe nga ato ditë që unë nuk dal jashtë shtëpisë sepse kam nevojë për pak qetësi dhe nuk dua të dëgjoj ose shoh askënd!

Ndonjëherë është e nevojshme për njeriun të shkëputet nga çdo gjë për (to recharge) “rimbushje”

13. Lirie, po ty, kur t’ka dhënë baci?

HAHAHAHAH! Mua nuk më ka dhënë Baci. Unë e kam gjetur vetë! [qesh]

Hahahahaha, sme ka dhen baci, por e kam gjete vet hahahaha.