Prishtina sot luan për fitore në Gjibraltar
Sot, në orën 17: 45, në “Victoria Stadium” të Gjibraltarit, Prishtina do të përballet me St Joseph’s në sfidën e kthimit të raundit paraeliminator të Europa League-s.
Një moment shumë i rëndësishëm ky për skuadrën që drejtohet nga Mirel Josa, që për të dytin vit radhazi kërkon ta kalojë këtë fazë.
Takimi i parë i luajtur në “Fadil Vokrri” të Prishtinës përfundoi në barazim 1-1, rezultat që në pamje të parë favorizon kundërshtarët, por nënkampionët e Kosovës kanë udhëtuar drejt Gjibraltarit me bindjen e plotë se do të kualifikohen.
Prishtina mund të avancojë në raundin e parë eliminator edhe nëse barazon, por barazimi duhet të jetë me gola.
Mirel Josa është një trajner me shumë përvojë në ndeshjet europiane, pasi më parë ka drejtuar Skënderbeun, skuadër që e ka drejtuar deri në fazën e grupeve të Europa League-s.
Hendikep për Prishtinën do të jetë mungesa e sulmuesve, Alban Shillova e Ahmed Januzi. I pari është i lënduar ndërsa i dyti nuk ka të drejtë loje. /Indeksonline/