Liberalizimi i vizave, rasti “Gold” nën llupën e BE-së
Ishte data 8 shtator 2016, kur Policia e Kosovës, bashkë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Doganat e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, zhvilluan një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar në 15 lokacione të ndryshme në Kosovë.
Cak ishin personat që dyshoheshin që merreshin me kontrabandim të arit dhe argjendit nga shtetet tjera për në Kosovë.
Tetë persona kishin përfunduar në pranga ndërsa ishin konfiskuar 26 kilogramë ari, 33 kilogramë argjendi, një autobus, tri vetura, para kesh dhe dokumente të ndryshme.
Ky rast që më pas u etiketua me nofkën “Gold” u fut nën llupën e Bashkimit Evropian si rast i shënjestruar në procesin e liberalizimit të vizave.
Indeksonline ka siguruar listën e rasteve të shenjëstruara nga BE, e ku rasti “Gold” ishte renditur i dyti si më i rëndësishmi për tu monitoruar pas atij “Kristal” për të cilin u raportua të shtunën.
Visar Ibraj, Gani Ibraj, Bujar Ibraj, Shenoll Balkan, Ibrahim Balkan, Taulant Lajqi, Haki Ibraj dhe Ardit Ibraj, ishin arrestuar ditën e operacionit ndërsa numri i të dyshuarve ishte rritur më pas në 34.
Për këtë operacion ishte bërë shumë zhurmë, mirëpo epilogu i gjykimit të shkallës së parë që u dha në fund të vitit të kaluar në Gjykatën e Ferizajt, e tha të kundërtën duke i dënuar të akuzuarit (shqiptarë e turq) simbolikisht me burgim me kusht nga tre muaj deri në një vit e disa të tjerë me gjobë prej 1.100 deri në 3000 euro.
Indeksonline ka kontaktuar me avokatë të të akuzuarve të cilët kanë thënë se gjykimi për këtë rast ka përfunduar në shkallë të parë ndërsa kanë bërë ankesë pasi që nuk ka bazë që të akuzuarit kanë kryer veprat për çka janë dënuar me kusht dhe gjoba. Ata kanë kërkuar lirimin e plotë të tyre ose rikthimin e rastit në rigjykim. Ky rast vazhdon të monitorohet nga BE krahas 40 rasteve tjera që tashmë disa kanë marrë formën e prerë, disa janë në gjykim e disa ende në fazën e hetimeve./Indeksonline/