20:00 / E Shtunë, 06 Korrik 2019

EKSKLUZIVE: Indeksonline siguron top rastet e krimit dhe korrupsionit të shënjestruara nga BE

Mbi 40 raste të shënjestruara të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, janë nën llupen e Bashkimit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave.

Rastet po përcillen vazhdimisht dhe në mesin e tyre ka me vendim të formës së prerë, një pjesë janë në ngritje të aktakuzave, një pjesë në fazën e hetimeve dhe që të gjitha monitorohen nga BE-ja.

Indeksonline ka siguruar listën e rasteve të cilat po mbikëqyrën vazhdueshëm nga Bashkimi Evropian dhe të njëjtat do të publikohen një nga një në ditët në vazhdim.

 Rasti i parë është i njohur me nofkën “Kristal” dhe institucionet e ndjekjes kanë ngritur aktakuzë ndaj 14 personave të dyshuar.

Në këtë operacion policor të ndodhur në maj të vitit 2016 ishin sekuestruar disa prona me vlerë tejet të madhe që dyshohej se ishin përfituar nga krimi i organizuar.

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, kishte zhvilluar hetime intensive që nga viti i 2015, ndaj këtij grupi mirë të organizuar i të dyshuarve për vepra penale të krimit të organizuar si fajde, detyrim, kanosje dhe mashtrim, raporton Indeksonline.

Lidhur me këtë rast i cili është një nga rastet e selektuara si i shënjezuar sipas procedurës së përcaktuar në procesin e liberalizimit të vizave, janë kryer operacione policore me qëllim të identifikimit dhe të provuarit e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në të cilin ishin arrestuar disa persona të dyshuar e të cilët janë në proces gjyqësor.

Sektori i Hetimeve të Integruara Financiare, ka vazhduar me identifikimin e pasurisë të këtij grupi kriminal e që dyshohet se ka prejardhje nga veprimtaria kriminale.

Kështu, në bashkëveprim me Agjensionin për Administrimin e Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe në përkrahje të njësive tjera policore, në bazë të urdhëresës nga gjykata kompetente, me datën 5 maj 2016, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë operacionin e quajtur “Kristal” dhe kishte sekuestruar pasurinë e përfituar nga ana e të dyshuarve me vepra penale të krimit të organizuar. Operacioni policor ishte zhvilluar në rajonin e Prizrenit, ku me këtë rast jishte sekuestruar: një hotel (448 m2), një restorant (327 me2) dhe veranda (92 m2), një objekt (24 m2) dhe parcelë tokë (6664 m2). Lidhur me këtë rast, ka pasur edhe sekuestrime të mëhershme të pasurisë, e cila dyshohet të jetë përfituar në mënyrë të kundërligjshme si: Para të gatshme 303.235,00 euro, 1.100,00 franga Zvicerane, 700 gram ari dhe 7 vetura private.

 Të gjitha asetet e sekuestruara i ishin dorëzuar aso kohe agjencionit përkatës për administrim.

Indeksonline do të publikojë edhe rastet tjera të cilat janë nën llupen e BE-së. Për këto raste tashmë janë siguruar dokumente dhe foto./Indeksonline/