75 Mall Live Search
12:37 / E Martë, 09 Korrik 2019 / indeksADMonline

Në lansimin e reformave ekonomike 2020-22 kërkohet zbatim konkret i tyre

Reformat ekonomike në Kosovë janë të nevojshme dhe të rëndësishme, andaj ato duhet të zbatohen praktikisht dhe jo të mbesin vetëm në letër, por gjithashtu duhet pasur kujdes të ruhet stabiliteti marko-financiar.

Këto komente u bënë me rastin e lansimit të procesit të përgatitjes për programin e reformave në ekonomi 2020-22 në Kosovë. Për këtë proces u kërkua që të ketë dhe vullnet politik që reforma të përfshijë luftimin e ekonomisë joformale, rregullat fiskale, kontrollimin e shpenzimeve publike dhe reformat në energji.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, duke e quajtur të rëndësishëm hartimin e Programit për Reforma në Ekonomi, theksoi se reformat duhet të zbatohen në praktikë dhe se zbatimi i tyre nuk duhet të prekë stabilitetin marko-financiar.

Hamza, mes tjerash, kërkoi zbatim të reformave dhe jo vetëm ofrimin e  prioriteteve, ndërsa theksoi se Kosova ka arritur të fuqizojë kapacitetet për vlerësim të politikave fiskale dhe buxhetore.

“Kosova ka fuqizuar kapacitetet për vlerësimin e politikave, parashikimet makro-fiskale, planifikimin buxhetor dhe mbikëqyrjen fiskale duke rekrutuar stafin e duhur në kuadër të Ministrisë së Financave. Duke marrë parasysh këtë ne do të fuqizojmë kapacitetet institucionale për të siguruar cilësi më të madhe këtij procesi. Për këtë kemi përkrahjen e partnerëve tanë kryesor, praktikisht Komisionit Evropian përmes projektit për asistencën teknike dhe Bankës Botërore përmes ndihmës në fuqizimin e kapaciteteve”, tha ministri Hamza.

Këtë lansim e përkrahu edhe udhëheqësja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, e cila tha se ky proces i reformave evropiane shërben si mjet për të shtyrë drejt përfitimeve të projekteve që janë të  prekshme për qytetarët.

Apostolova kërkoi zbatim dhe përkushtim politik të këtyre reformave, duke i renditur pikat në të cilat duhet të punohet në luftimin e ekonomisë joformale, rregullat fiskale, kontrollimi i shpenzimeve publike,  reformat në energji dhe ngritje të mbikëqyrjes së ndërmarrjeve publike.

“Zbatimi i masave kërkon jo vetëm kohën dhe punë në marrëdhënien mes nivelit teknik, por gjithashtu dhe një përkushtim shumë të fuqishëm politik. Pritet nga ju që të zbatoni reformat e domosdoshme që të simuloni zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të krijoni vende pune më të mira për qytetarët”, porositi Apostolova.

Pjesë e këtij lansimi të procesit të reformave ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili kërkoi që prioriteti dhe fokusi kryesor duhet të jetë te ndërmarrjet e mesme dhe ekonomia familjare, pasi sipas tij, ato promotori i zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Lekaj pati dhe kritika për ngecje te disa projekte, që siç tha ai, po zgjasin deri në 5 vjet dhe duhet të gjenden shkaktarët.

“Promotor i zhvillimit ekonomik në Kosovë janë ekonomia familjare dhe ndërmarrjet  e mesme. Në këtë mendoj që nëse e zgjidhim si prioritet këtu është fokusi dhe do të implementohen ato që ne i dëshirojmë…Nga përvoja ime dyvjeçare ne kemi ngecje. Tash, a është faji te ne apo diku tjetër, ne duhet të ulemi të bisedojmë. Nëse një projekt mund të zgjas 5 vjet pa filluar implementimi mendoj që ne kemi humbur shumë kohë. Ne duhet gjejmë shkaktarët që kanë ndikim në mos implementimin e projekteve, apo ne nuk kemi resurse humane”, tha ministri Lekaj.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tregoi fokusin e tij në reformat ekonomike, që sipas tij janë rritja e qasjes së të rinjve dhe grave në tregun e punës.

“Fokusi ynë në programin e reformave ekonomike për vitin 2019 në fushën e tregut të punës ishin  rritja e qasjes së të rinjve dhe grave në tregun e punës, përmes ofrimit të shërbimeve cilësore të punësimit, masave aktive të punësimit dhe ndërmarrësisë”, tha ministri Reçica. /E.Zeqiri/