75 Mall Live Search
12:58 / E Martë, 09 Korrik 2019 / indeksADMonline

Borissov vazhdon polemikën me Daçiq-in, thotë se nuk e di çfarë ka të paqartë ai sa i përket Kosovës

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov ka deklaruar se nuk e kupton se çfarë ka të paqartë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Duke vazhduar polemikën me të, i pari i Bullgarisë deklaroi se për Kosovën e ka thënë atë që e mendon dhe se në këtë pikë nuk ka asgjë të paqartë.

Në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës, Borissov tha se duhet diskutuar për gjërat rreth të cilave nuk pajtohemi.

“Unë nuk e di se çfarë është e paqartë për qëndrimin tim rreth Kosovës. Unë thash atë që mendoj dhe normalisht që duhet të ulemi dhe të diskutojmë në mënyrë që të harmonizojmë atë për të cilat nuk pajtohemi. Edhe ne kemi çështje të hapura me Turqinë,  e jo vetëm Beogradi dhe Prishtina, por ne ulemi, takohemi, flasim dhe krijojmë iniciativë dhe aktivitete të ndryshme që çojnë drejtë përparimit”, tha Borissov, transmeton Indeksonline.

Ai gjithashtu tha se në vend që të diskutohet se çfarë kontributi do të ketë për rajonin ky organizim, po flitet për çështjen se pse përfaqësuesit e Prishtinës nuk po marrin pjesë në këtë Samit në Jahorina të Sarajevës.

Borisov theksoi se taksa 100% duhet larguar, pasi që sipas tij masa të tilla pengojnë gjithë rajonin.

“Ju mund të interpretoni fjalët e mia, por ne duhet të kuptojmë se është e nevojshëm të punojmë së bashku në rrugën drejt BE-së. Duhet të pranojmë kritika, të miratojmë këshilla dhe të shkojmë të gjithë së bashku drejt BE-së, përndryshe nuk mund të miratojmë vetëm disa përfundime nga takime të tilla”, tha ai.

Ndryshe debatin me Ivica Daçiq e ka nxitur një deklaratë e Borissov, i cili kërkoi nga kryenegociatori i ri, Josep Borell që karshi Kosovës të paraqes qëndrimi ne Bashkimit Evropian, dhe jo atë të Spanjës.

Borissov tha se pavarësisht a e njeh Spanja apo vendet e tjera pavarësinë e Kosovës, Borell duhet të përfaqësojë BE-në.

Por kjo deklaratë nuk i pëlqeu ministrit serb, Daçiq i cili tha se Borissov nuk duhet t’i japë leksione BE-së, por sipas tij duhet të respektojë vendimin e mos-njohjes së Kosovës.

Madje ai shprehu keqardhje që Bullgaria e njohu pavarësinë e Kosovës.

Përfaqësuesit kosovarë refuzuan të merrnin pjesë në këtë Samit të organizuar nga Bosnja, kurse me këtë vendim u solidarizua edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama si dhe i pari i diplomacisë shqiptare, Gent Cakaj./Indeksonline/