“Transportuesi”, rast i shënjestruar nga BE në procesin e liberalizimit të vizave
Në dhjetor të vitit 2014, Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it, Prokuroria dhe Dogana, kishin ndërmarrë një operacion të madh në veri të Kosovës kundër krimit të organizuar, kontrabandës me mallra dhe kundër evazionit fiskal. Operacioni i koduar me emrin “Transportuesi” që u shtri më pas në 38 lokacione në gjithë vendin, vuri në pranga gjithsejtë 17 persona të dyshuar dhe identifikoi edhe pesë të tjerë.
Po ashtu ishin sekuestruar 15 biznese të ndryshme nga to 12 pompa të derivateve në lokacione të ndryshme dhe tri biznese të tjera.
Institucionet pas hetimeve të zhvilluara ngritën aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë ndërsa rasti u shënjestrua edhe nga Bashkimi Evropian në procesin e liberalizimit të vizave, raporton Indeksonline.
Ky rast vazhdon të mbetet në shqyrtim gjyqësor, ani pse kanë kaluar më shumë se katër vjet prej operacionit policor.
Në këtë operacion ishin përfshirë rreth 425 zyrtarë policor, prej tyre 59 nga Dogana e Kosovës dhe ATK-ja, si dhe 8 zyrtarë të EULEX-it.

Policia për këtë rast kishte thirrur konferencë të jashtëzakonshme në të cilën kishte thënë se në kuadër të Procedurës Standarde të Veprimit të miratuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) për shënjezimin e rasteve, Institucionet e Zbatimit të ligjit në Kosovë siç janë Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës dhe Policia e EULEX-it nën drejtimin e një Prokurori vendor të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë operacionin e koduar me emrin “Transportuesi” lidhur me veprat penale: Krim të organizuar, kontrabandim të mallrave dhe evazion fiskal.
Pas hetimeve të përbashkëta të zhvilluara që nga muaji maj 2014, lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi, të strukturuar dhe të organizuar mirë, që në vazhdimësi merrej me kontrabandim të mallrave (përkatësisht derivateve të naftës, vajrave, cigareve dhe mallra të tjera), me datë 10.12.2014, në Obiliq, Vushtrri, Mitrovicë, Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Prizren, Suharekë, Mamushë, Gjakovë, Deçan dhe Pejë, gjithsej në 38 (tridhjetë e tetë) lokacione të ndryshme ka realizuar operacionin e kontrollit të lokacioneve dhe arrestimin e të dyshuarve.
Të dyshuarit për këtë veprimtari, sipas policisë, përdornin metoda të ndryshme për kontrabandimin e derivateve të naftës, vajrave, cigareve dhe mallra te tjera duke përdorur rrugët nga Serbia përmes kalimeve ilegale nga kufiri verior i Kosovës dhe pastaj transportonin mallra në pjesët e tjera të vendit.

Kontrabanduesit në bashkëpunim me disa subjekte afariste i shpërndanin mallrat në shitje me pakicë në rajonet e lartcekura.
Gjatë hetimit janë identifikuar 22 të dyshuar të mundshëm ndërsa prej tyre janë arrestuar gjithsej 17.
Të arrestuar ishin: B.Z., (1985), I.Z., (1982), C.H., (1990), A.M., (1978), A.I., (1974), L.H., (1990), A.Z., (1964), G.Z., (1994), F.Q., (1963), Xh.S., (1971), Sh.J., (1989), S.M., (1972), S.H., (1959), B.H., (1981), N.M., (1961), D.L., (1959) dhe A.N., (1988).
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar prova të rëndësishme materiale: Janë sekuestruar 15 biznese të ndryshme nga to 12 pompa të derivateve në lokacione të ndryshme dhe tri biznese të tjera (një renta car, një depo e vajrave, një depo vajrave dhe auto-pjesëve), janë konfiskuar dokumentacione të ndryshme përfshirë; fatura, libra biznesi dhe dokumentacione të ndryshme që ndërlidhen me rastin: 24 500 euro të holla, para kesh, 11 armë të ndryshme me kalibër të ndryshëm, 5 vetura, 8 autobota, 6 kamionë, 4 rezervuar derivatesh, 20 kompjuterë të ndryshëm, 35 telefona mobilë, 130 000 copë cigare, 211 litra antifriz, 194 litra qitro glicerinë dhe 60 litra vaj.
Ky rast është në mesin e mbi 40 rasteve të shënjestruara nga BE. Prej tyre ka raste tashmë me aktgjykim të formës së prerë, në procedurë gjyqësore dhe ende raste në fazën e hetimeve./Indeksonline/