FFK reagon ndaj sloganeve raciste të tifozëve të Slovan Bratislavës
Slogane fyese ndaj Kosovës janë parë të shpalosen në ndeshjen kualifikuese të Europa League në mes të Slovan Bratislavës dhe Feronikelit.
Federate e Futbollit të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi dhe ka ftuar FIFA-n dhe UEFA-n të marerin masa ndaj këtij skandali.
Ky është njoftimi i FFK-së.
Federata e Futbollit e Kosovës i dënon ashpër thirrjet dhe sloganet e paraqitura sot në ndeshjen e Europa Leagues në Bratislavë nga tifozët në ndeshjen Slovan – Feronikeli. Parullat dhe thirrjet e tilla, FFK-ja, i vlerëson si primitivizëm, të pakuptimta dhe natyrisht aspak reale. Ëndrrat e Serbisë dhe të përkrahësve të tyre si dhe mashtrimet ndaj popullatës së tyre janë shumë të dëmshme edhe për vet ato klube dhe federatat e tyre, të cilat lejojnë këso anomali nëpër stadiumet e tyre. Me këtë rast, ftojmë UEFA-në dhe FIFA-n që të marrin masa sa më rigoroze (konform rregulloreve të tyre) ndaj këtyre thirrjeve dhe sloganeve, në mënyrë që kjo të ndikojë edhe në klubet e tjera në parandalimin e sjelljeve të tilla. Njëkohësisht kërkojmë nga Federata Sllovake që të reagojë për këto slogane të porositura kundër klubit tonë kampion dhe u bëjmë me dije se jemi partnerë të barabartë në UEFA e FIFA.
Ndërkohë, përgëzojmë futbollistët e KF “Feronikeli” që përkundër thirrjeve dhe sloganeve të tilla treguan lojë burrërore dhe besojmë në suksesin e tyre të mëtejmë.
Prishtinë, 24 korrik, 2019
Presidenti, Agim Ademi
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së