75 Mall Live Search
15:12 / E Mërkurë, 07 Gusht 2019 / indeksADMonline

Aderime të reja te NISMA, ndër ta edhe një ish-kandidate për deputete

Nismës Socialdemokrate nga sot i janë bashkuar disa anëtarë në rinj. Në mesin e tyre është edhe Valentina Shala-Bajrami, anëtare e Këshillit Drejtues të AAK-së dhe kandidate për deputete në zgjedhjet e vitit 2017 nga kjo parti.

Mirëseardhje anëtarëve të rinj u ka uruar kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Limaj u ka shprehur mirënjohje dhe respekt për vendimin e tyre për t’iu bashkuar Nismës.

“Nisma është shtëpia e juaj. Nisma është një organizatë politike që angazhohet për drejtësi dhe solidaritet. Ne duam dhe angazhohemi që të jemi zëri i punëtorit, i të riut dhe gruas, pensionistit dhe të gjithë njerëzve që kanë nevojë për ndihmën e shtetit”, ka thënë ndër tjerash kryetari Limaj.

Më tutje, kreu i Nismës ka thënë se ai nuk e do votën e sharjes, por votë të zemrës.

Ai ka thënë se nuk janë parti që rrahin gjoks dhe shajnë të tjerët. Angazhimi kryesor i tij, është eliminimi i padrejtësive.

Valentina Shala-Bajrami falënderoi kryetarin Limaj që ia ka hapur derën e Nismës Socialdemokrate asaj dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Ajo ka thënë se nga tani është rreshtuar prapa Nismës dhe bashkërisht do t’i kalojnë me sukses sfidat e ardhshme zgjedhore.

“Ju bëj thirrje që bashkërisht të ecim tutje dhe programin socialdemokrat të Nismës ta përçojmë në secilën shtëpi të qytetarëve të Kosovës.

Nismës Socialdemokrate në muajin e fundit i janë bashkuar më shumë se 2 mijë anëtarë të rinj.