75 Mall Live Search
15:53 / E Enjte, 08 Gusht 2019 / indeksADMonline

Përurohet xhamia në fshatin Vërnicë të Mitrovicës, në prag të Kurban-Bajramit

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka marrë pjesë sot në përurimin e xhamisë në fshatin Vërnicë të Mitrovicës.

Në ceremoninë e përurimit merrte pjesë edhe nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, drejtori i Planifikimit dhe Urbanizmit, Besnik Beka, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Irfan Krasniqi, zëvendësmyftiu i BIK-ut, Reshat Mexhidi, hoxhallarë dhe qytetarë të shumtë të cilët iu gëzuan ndërtimit të kësaj xhamie.

Me këtë rast, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi iniciatorët e ndërtimit të kësaj xhamie, për të cilën tha se do të sjellë vetëm paqe dhe harmoni për banorët e këtij fshati.

“Kur ndërtojmë dhe hapim xhami, gjithmonë duhet të mendojmë se ajo është një objekt me të cilën ka filluar historia e njerëzimit, gjithë ata që kanë qenë pjesë e punëve të mira në përgjithësi, sidomos ata që ndihmuan ndërtimin e kësaj xhamie të jenë të bindur se kjo është një dhunti që Allahu ia ka dhënë që të bëj punë të mira”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Ndërsa kryeimami Irfan Krasniqi, kryetar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, tha se kjo është shtëpi e Zotit, ku të rinjtë do të marrin dije dhe besim që të jetojnë në paqe dhe harmoni me të gjithë të tjerët, si e ka pasur traditë Mitrovica.

“E gëzofshim këtë xhami, e gëzofshin edhe gjithë ata që do vijnë pas nesh, Zoti ju kënaqtë me të mirat e kësaj bote dhe botën tjetër!”, tha kyeimami Irfan Krasniqi.