Para festës së birrës, bavarezët bëjnë mundje gishti
Mund të duket një sport i çuditshëm, por për bavarezët mundja e gishtit është një sport tepër serioz, që tërheq qindra konkurrentë dhe mijëra tifozë. “Fingerhakeln” quhet në gjermanisht sporti, i cili u zhvillua të enjten në jug të Gjermanisë.
Tashmë një traditë, pasi ishte edicioni i 60, kompeticioni mbahet pak javë para nisjes së Oktoberfest, festës tradicionale të birrës që zhvillohet çdo vit në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit.
Loja është e thjeshtë: konkurrentët, të cilët duhet të jenë pak a shumë të të njëjtës peshë dhe moshë, qëndrojnë përballë njëri-tjetrit dhe duhet të tërheqin me gisht një litar të vogël. Fitues shpallet ai që arrin të tërheqë kundërshtarin në anën tjetër të tavolinës.
Sikurse në të gjithë sportet e tjera, për të pasur sukses duhet shumë stërvitje. Garuesit bëjnë nxehje duke shtypur topa tenisi dhe duke bërë ngritje peshash me gisht.
“Fingerhakeln” është një sport tradicional në Bavari dhe Austri. Origjina nuk është fort e qartë, por mendohet se ka nisur si një mënyrë për të sheshuar sherret, për t’u shndërruar në sport.