75 Mall Live Search
12:36 / E Hënë, 19 Gusht 2019 / indeksADMonline

Zgjedhjet, Kosovën e gjejnë me një zonë zgjedhore

Derisa Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Sllovenia kanë deri në tetë zona zgjedhore shumica prej të cilave janë zona gjeografike, lejojnë edhe një zonë jo gjeografike për diasporën dhe caktojnë një numër të caktuar të deputetëve.

Përves kësaj të të pasurit vetëm njëzonë elektorale u shkakton probleme kandidatëve për deputet, sepse ata duhet të kërkojnë vota në gjithë Kosovën, kurse më mirë i njohin problemet e zonës së tyre andaj dhe nëse do kishim më shumë zona zgjedhore ata do të ishin më të përqendruar me problemet e zonës së tyre.

Ja si është sistemi aktual zgjedhor në Kosovë dhe në vendet e rajonit

Kosova është Republikë Parlamentare, ku votuesit zgjedhin anëtarët e parlamentit (deputetët) drejtpërdrejt përmes votimit të fshehtë çdo katër vite. Kuvendi ka 120 deputetë, ku 100 deputetë futen në parlament përmes përfaqësimit proporcional të zgjedhur me votim të fshehtë, bazuar në listat e hapura, kurse 20 vende shtesë janë të rezervuara për deputetët e pakicave kombëtare. Tek vendet e rezervuara shpërndarja bëhet si në vijim: 10 vende për komunitetin serb, 4 vende për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit, 3 për komunitetin boshnjak, 2 komunitetin turk dhe 1 për komunitetin goran.

Pragu zgjedhor për parti, koalicione dhe kandidatë të pavarur është 5% e votave të përgjithshme, ndërkohë që për partitë që përfaqësojnë pakicat kombëtare nuk ka prag zgjedhor.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme (Neni 111.2) përcakton që njëqind (100) vendet e Kuvendit ndahen në bazë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme që i ka fituar çdonjëri subjekt politik, në mesin e subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin serb dhe komunitetet e tjera jo shumice, dhe në mesin e subjekteve politike që nuk përfaqësojnë komunitetin serb dhe komunitetet jo shumice që kanë fituar së paku pesë 5% nga numri i përgjithshëm i votave të vlefshme në zgjedhjet për Kuvend. Numri i përgjithshëm i votave të vlefshme të fituara nga çdonjëri subjekt politik në zgjedhjet për Kuvend pjesëtohet me 1, 3, 5 e kështu me radhë derisa numri i pjesëtuesve të shfrytëzuar t’i përgjigjet numrit të plotë të vendeve. Kjo metodë e ndarjes së vendeve është e njohur ndryshe edhe si formula Sainte-Laguë, ku sipas saj ndarja e mandateve bëhet në mënyrë proporcionale me anë të koeficientit. Numri total i votave të partisë pjesëtohet me numrin e vendeve që partia i ka të ndara, që fillimisht është 0 për të gjitha partitë. Partia me koeficientin më të lartë merr vendin e radhës dhe pastaj i rikalkulohet koeficienti i ri derisa të shpërndahen të gjitha mandatet.

Shqipëria-Kuvendi i Shqipërisë ka gjithsej 140 ulëse parlamentare, ku të gjithë deputetët e parlamentit zgjedhën përmes garave proporcionale në 12 zona zgjedhore të cilat janë njëkohësisht të definuar sipas 12 qarqeve administrative të Shqipërisë. Garat proporcionale në rajone bëhen përmes listave të mbyllura të partive dhe koalicioneve, ndërsa numërimi bëhet sipas formulës D’hondt. Pragu zgjedhor për partitë në çdo zonë zgjedhore është 3% , ndërsa për koalicionet është 5%. Republika e Shqipërisë nuk ka provizione favorizuese për pakicat kombëtare dhe nuk i jep të drejta speciale votës së diasporës.

Kroacia- Pretenduesit për t’u bërë deputetë në Kroaci, garojnë për 148 deri në 160 ulëse në Kuvendin e Kroacisë. Fakti se Kroacia nuk e ka një numër të paracaktuar fiks të deputetëve, e bënë sistemin kroat të veçantë dhe të dallueshëm. Aktualisht, kuvendi kroat ka 151 deputetë. Deputetët kroat zgjedhën përmes 12 zonave zgjedhore. Dhjetë prej këtyre zonave janë zona gjeografike (distrikte) që dërgojnë në Kuvend nga 14 deputetë (140 gjithsejtë) përmes një sistemi proporcional me lista të mbyllura, me prag zgjedhor prej 5% dhe formulë kalkulimi D’hondt.

Zona 11 e sistemit zgjedhor kroat është zona jo-gjeografike e dedikuar për diasporën kroate dhe ajo prodhon deri në 12 mandate parlamentare. Numri i saktë i deputetëve që shkojnë në Kuvend nga zona e diasporës varet nga numri i votuesve të diasporës që votojnë në ditën e zgjedhjeve, gjë që e shpjegon edhe arsyen pse Kuvendi i Kroacisë mund t’i ketë prej 148 deri në 160 deputetë.

Sllovenia- Sistemi zgjedhor i Sllovenisë është i ndarë në tetë zona ku zhvillohen gara të ndara mes partive sipas sistemit proporcional dhe me lista të hapura, ku qytetarët mund të votojnë për vetëm një kandidat. Parlamenti slloven ka 90 deputetë, ku secila zonë dërgon nga 11 deputetë në Parlamentin e Sllovenisë (88 deputetë), kurse dy ulëse të tjera janë të rezervuara për pakicat (një për atë italiane, një për atë hungareze).

Në çdo zonë, partitë politike garuese duhet të kalojnë pragun zgjedhor prej 4% për të fituar mandate. Përkthimi i përqindjeve të fituara në mandate parlamentare përdoret duke përdorur formulën “Droopquota”, ndërsa në parlament futen kandidatët që kanë numrin më të madh të votave brenda listës së partisë.

Maqedonia– Parlamenti maqedonas ka gjithsej 123 deputetë, të cilët zgjedhën përmes garave proporcionale në gjashtë zona elektorale. Çdo zonë zgjedhore dërgon numër të njëjtë prej 20 deputetësh në parlament (120 deputetë), kurse tre deputetë zgjedhën nga diaspora. Listat e partive janë të mbyllura, ndërsa nuk aplikohet ndonjë prag zgjedhor.  /Indeksonline/