75 Mall Live Search
08:09 / E Martë, 27 Gusht 2019 / indeksADMonline

Tirana transferon dy futbollistët e Kombëtares Shqiptare

Në orët e vona të së hënës, Tirana ka nënshkruar me dy futbollistë të Kombëtares Shqiptare, mbrojtësit Kristi Vangjeli dhe Andi Lila, të cilët kanë pozuar me fanellën bardhë e kaltër.

Klubi kryeqytetas njoftoi pasditen e sotme se dy futbollistët janë bërë pjesë e bardhebluve dhe se duartrokitjet e para do t’i marrin sot në prag të ndeshjes Tirana-Teuta, kur edhe të bëhet prezantimi zyrtar i tyre.

Me Vangjelin akordi ishte arritur para disa ditësh, ndërsa ofertën e presidentit Refik Halili e pranoi dje edhe Andi Lila, i cili rikthehet në kampionatin shqiptar pas plot 8 sezonesh dhe pikërisht me fanellën e fundit që pati veshur në Superiore, atë të Tiranës.

Me këto dy përforcime, por edhe shumë emra të tjerë që janë prezantuar më herët si Batha, Torrasa, Cale dhe Tefik Osmani, bardheblutë bëhen pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion, në vitin që përkon me 100-vjetorin e themelimit të klubit.