75 Mall Live Search
13:28 / E Premte, 30 Gusht 2019 / indeksADMonline

Krasniqi e shpjegon ligësinë e disa shqiptarëve nëpërmjet fenomenit të vrasjes së Haxhi Zekës

Nga: Jakup Krasniqi

Fenomeni i vrasjes së Haxhi Zekës, kryetarit të Lidhjes së Pejës, të njohur si Besa-Besë, ka një rrugëtim mbi një shekull.

Pse e cilësova thjesht fenomen?

E cilësova fenomen, sepse si i tillë ai është futur në filozofinë popullore dhe ka tërhequr një vërejtje serioze, për secilin njeri që dëshiron të jetë mirëbërës. Sepse jo gjithherë e mira kthehet me të mirë.

E mora si shembull Haxhi Zekën, sepse atij në një rast i thanë: “Ka me të vra me para të serbit filan filani!” Ai ua ktheu: “Nuk është e mundur, se atij njeriu nuk ia kam bërë asnjë të mirë!”

Pas një kohe i thanë: “Po don me të vra Adem Zajmi!” Haxhi Zeka ua ktheu: “Është e mundshme, se i kam bërë shumë të mira!”

Së këndejmi populli ynë i urtë thotë: “Mos i bëj mirë atij që nuk ka të mira, se ta kthen me të këqija!”

Ky fenomen tregon se një pjesë të shqiptarëve të ligj, pabesinë e kanë ves të trashëguar. Pabesia nuk ka qenë fenomen i shqiptarëve, por shqiptarët e ligj, duke bashkëjetuar me të pabesët ua kanë marrë pabesinë.

Jakov Xoxa thoshte: “Kur e mira dhe e liga rrinë njëra pranë tjetrës, dhënë e marrin nga njëra tjetra!”

Këtë fenomen të shëmtuar, sidomos gjatë viteve të lirisë e kam përjetuar jo pak herë!

Rrugës se tillë shqiptari modern nuk duhet shkuar!

Rruga e Besës është rruga e jetës sonë, është rruga e integritetit tonë në Kosovën që duam!