75 Mall Live Search
13:53 / E Hënë, 02 Shtator 2019 / indeksADMonline

Kosova U21, me optimizëm, para ndeshjes ndaj Anglisë

Kosova U21 ka mbajtur një konferencë shtypi në prag të ndeshjes ndaj Anglisë, ku edhe u bë e ditur lista e lojtarëve të ftuar për këtë ndeshje.

Në këtë konferencë merrnin pjesë trajneri Rafet Prekazi, si edhe lojtarët Eris Abedini dhe Kreshnik Hajrizi.

Edhe pse ishte paralajmëruar që në këtë konferencë të ishte e pranishme edhe prurja e re në skuadër, Arton Zekaj, një gjë e tillë nuk ndodhi pasi që ai kishte pasur disa probleme gjatë udhëtimit të tij për në Kosovë.

Trajneri Rafet Prekazi ndeshjen ndaj Anglisë e cilësoi si testin më të vështirë për djelmoshat e tij në këtë cikël kualifikimesh për “Euro-n 2021”.  

Prekazi: Anglia është favorite në letër

“Dihet se Anglia është një fuqi evropiane, botërore në futboll ama aty ku jam unë trajner, respekt çdo skuadre, por mendim imi është në futboll që jo rastësisht janë lojtarët me çmime shumë të larta. Në letër me siguri janë favorit, mirëpo fusha është e kundërta dhe e di një gjë prej përvojës sime se nuk kam parë asnjë thes me lekë shumë edhe që gotet mirë në futboll”, tha fillimisht Prekazi.

Prekazi ka folur edhe për problemin që ka lindur midis Bernardh Challandes-it dhe Lirim Kastratit. Ai ka thënë që asnjë lojtar problematik nuk ka vend në ekipin që ai e drejton dhe sipas tij nuk ka asnjë problem mes Challandes-it dhe Kastratit.

Prekazi: Me Lirim Kastratin – gjithçka është korrekte

“Çdo Kombëtare i ka këto. Kryesorja që ne kemi bazë. E kemi treguar dy vjetët e kaluar që 7-8 lojtarë tek U21-shi, ndoshta bartin barrën tek A-ja dhe ajo është një sukses yni në përgjithësi. Ne jemi në kontakt edhe me lojtar, normal që primare për çdo shtet ësht A-ja. E sa i përket Lirim Kastratit, ata e kanë zgjedhur situatën me Challandes-i, u ka treguar edhe në konferencën e shtypit. Problemi kryesor është te shteti ynë, edhe te kombëtaret tona, që lojtari kushtimisht them që mund të shkaktojë probleme, kur mbyllen dyert, kur mbyllen tek A-ja mbyllet te të gjitha gjeneratat. Në këtë rast kam biseduar edhe me Lirimin, gjithçka është korrekte, shtoi Prekazi.

Ndërkohë, Eris Abedini, e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, por ka thënë se sukseset e Kosovës A, kanë bërë që edhe konkurrenca në ekipin U21-shit të rritet.

Eris Abedini: Ndaj Anglisë – ndeshje e vështirë për ne

“Anglia mesiguri që ka shumë talentë, ka një ekip shumë të talentuar. Shumë lojtarë të rinj e dimë që luajnë në ekip të parë, luajnë në Premier Ligë, Championship dhe mund të them se është një ekip ndër më të fortët por e shikojmë në lojën tonë”, tha Abedini       

Ndërkaq, edhe Kreshnik Hajrizi është i vetëdijshëm për forcën e “Tre luanëve”, por shpreson për më të mirën e kombëtares sonë.

Hajzeri: Mund të tregojmë çfarë cilësie kemi

“Është një ndeshje që mund të tregojmë se çfarë skuadre jemi. Është një ekip e Anglisë shumë i fortë. Mendoj se me skuadrën tonë mund të tregojmë secili se çfarë cilësie kemi. Kemi shumë vetëbesim”, tha Hajrizi.

Ndeshja midis Kosovës U21 dhe Anglisë zhvillohet, më 9 shtator në Hull.